Gazetari investigativ, Artan Hoxha u shpreh se që nga momenti kur paralajmëroi videon e kryebashkiakut duke konsumuar kokainë në një ambient publik, është përballur me shumë presione.
Hoxha tha se është kërcënuar shumë herë me jetë, ai dhe familja e tij, madje i është ofruar edhe mbrojtje nga autoritetet, por gazetari nuk e ka pranuar. Hoxha theksoi se e mbron puna dhe e vërteta, për faktet të cilat publikon.
“Deklarova që jam duke verifikuar një video që ka të bëjë me momente të përshtatshme të një të zgjedhuri. Që nga ai moment ka filluar presione, kanë qenë të mëdha në shumë kuptime edhe miqësore edhe shoqërore edhe me forcë edhe me para. Kemi të bëjmë me një rast që për mua është shumë i rëndë. Faktohet ajo akuza, për ta futur me ligj testin e narkotikëve për deputetët që nuk u miratua. Është një rast që ka problematikë dhe kemi të bëjmë me njerëz që janë zgjedhur me votën e qytetarëve . Problematika tjetër është se si është e mundur që i shpëtojmë filtrit të përzgjedhjes”, tha Hoxha në AbcNews.
Më tej Hoxha i ka bërë thirrje policisë së Dibrës që të ketë kujdes disa persona. pasi ka pasur kërcënime me jetë njerëzish dhe familjesh me qëllimin e vetëm që kjo video të mos publikohet.
“Unë bëj një profesion që e kam zgjedhur ta bëj dhe e di shumë mire që të përballesh dhe të publikosh të vërtetat që shkaktojnë dëme sigurisht që do të ketë reagime. Dje gjatë gjithë ditës dhe darkës, sot për arsye shëndetësore nuk mbërrita dot te Enkeli. Por ka pasur shumë ndërhyrje. Ti qendrosh ballas të vërtetës, është e vështirë, unë do ti kërkoj meqë jam në studio policisë së qarkut Dibër që të ketë në vigjilencë dhe në shikim para syve sot se nëse do të ketë ngjarje pas publikimit të videos. Kanë kërcënuar me jetë njerëzish dhe kanë kërcënuar me jetë familje vetëm që të mos i publikojnë, Janë njerëz që ata mendojnë se janë futur në këtë histori”, tha Hoxha.
g.kosovari