Këshilli i Ministrave ka miratuar kushtet, kriteret, kategoritë prioritare, masën e përfitimit, procedurat dhe rregullat për vlerësimin e përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit.
Subjektet përfituese janë individët dhe familjet, që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe/ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në njësitë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Aplikimi për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit sipas parashikimeve të këtij vendimi bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej këtyre programeve.
“Përfshirja në programet e rindërtimit bëhet nëpërmjet aplikimit në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku individi/familja ka vendbanimin dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave. Aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën/at përgjegjëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin që këto kërkesa të paraqiten pranë njësive administrative ku individët kanë vendbanimin.
Aplikimet për përfitimin nga programet e rindërtimit duhet të jenë në formë të shkruar. Ato regjistrohen dhe përpunohen nga struktura/t përgjegjëse të njësive të vetëqeverisjes vendore në një sistem elektronik. Njësitë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore krijojnë, administrojnë dhe përditësojnë bazën e të dhënave për individët dhe familjet që kanë humbur familjarë dhe/ose kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, si dhe për plotësimin e nevojave të tyre nga programet e procesit të rindërtimit” përcaktohet në vendimin që sjell SCAN.
Kërkesat e plotësuara me të dhënat dhe dokumentacionin sipas parashikimit të këtij vendimi regjistrohen sipas rendit kronologjik në sistemin e posaçëm elektronik nga strukturat përgjegjëse. Regjistri i kërkesave përmban informacionin që mundëson përpunimin e të dhënave, si më poshtë vijon:
- a) emrin, atësinë, mbiemrin;
- b) numrin e kërkesës;
- c) datën e dorëzimit/paraqitjes së aplikimit;
ç) objektin e kërkesës, përfshirë edhe preferencën e paraqitur për programin e rindërtimit;
- d) adresën e kërkuesit;
- dh) përbërjen familjare në momentin e aplikimit;
- e) Aktin e konstatimit/aktekspertizën e thelluar, të lëshuar nga çdo person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës tregtare, i pajisur me lejen, licencën ose autorizimin përkatës nga autoritetet shtetërore për vërtetimin e gjendjes së rrezikut për jetën dhe shëndetin, në të cilin vërtetohen dëmet që ka pësuar ndërtesa apo që është shpallur si e pabanueshme;
ë) dokumentin e pronësisë ose çdo akt për fitimin e pronësisë së banesës së dëmtuar.
Çdo individi/familjeje, që paraqet kërkesën, në çdo rast, i lëshohet një vërtetim që konfirmon regjistrimin e kërkesës, objektin e saj, datën dhe listën e dokumenteve të bashkëlidhura.
Faza e dytë e aplikimit fillon në momentin e vënies në zbatim të programeve të procesit të rindërtimit. Bazuar në kërkesat specifike të çdo programi, njësia e vetëqeverisjes vendore ndjek procedurat, si më poshtë vijon:
- a) miraton sistemin e pikëzimit;
- b) klasifikon kërkesat për programet e procesit
të rindërtimit, sipas sistemit të pikëzimit;
- c) mbledh cilindo prej dokumenteve që vërteton statusin e familjeve të përmendura në pikën 8, të këtij vendimi, që e mbajnë organet publike në vend, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre;
ç) bën verifikimin e dokumentacionit, sipas pikës 8, të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e dorëzimit;
- d) harton dhe miraton listën e përfituesve, mbështetur në listën e objekteve të vëna në dispozicion nga organi përgjegjës shtetëror;
- dh) njofton familjet që përfitojnë nga programet specifike të procesit të rindërtimit, si dhe ata/o që nuk kanë përfituar, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e miratimit të listës së përfituesve nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Kandidatët që nuk kanë fituar caktohen të përfitojnë nga një program tjetër i procesit të rindërtimit.
Kriteret e përparësisë për renditjen e përfituesve janë:
- a) familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore;
- b) familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna;
- c) familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara;
ç) të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit;
- d) familjet në skemën e ndihmës ekonomike;
- dh) të rënët në krye të detyrës.
Struktura përgjegjëse u njofton aplikantëve jofitues edhe arsyet e kësaj vendimmarrjeje, si dhe të vendimit për përfitim nga një program tjetër I procesit të rindërtimit. Aplikantët jofitues mund të paraqesin ankesat e tyre pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, brenda 5 ditëve nga njoftimi.
Në fazën e dytë, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton deklarimet e bëra në fazën e parë. Dokumentacioni i kërkuar sipas këtij vendimi, që mbajnë apo përgatisin organet publike në vend, sigurohet nga vetë struktura përgjegjëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre, vetëm nëse aplikanti depoziton deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të, sipas formatit tip.
Nëse aplikanti nuk e dorëzon apo refuzon të firmosë këtë deklaratë, struktura përgjegjëse shkarkohet nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit. Dokumentacioni i nevojshëm sigurohet me shpenzimet e njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila, nëse është e nevojshme, mund të lidhë marrëveshje me strukturat përkatëse, në funksion të lehtësimit të marrjes së dokumentacionit.
Për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga programet e procesit të rindërtimit, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë vendim dhe listës së objekteve të vëna në dispozicion nga organi përgjegjës shtetëror, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, krijon një komision të posaçëm, i cili vlerëson kërkesat e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit, në bazë të dokumentacionit përkatës dhe parashikimeve të këtij vendimi, si dhe harton listen e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit.
Komisioni informon kryetarin e njësisë së vetëqeverisjes vendore në lidhje me listën e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit, i cili lidh kontratën për kalimin e pronësisë së banesave te përfituesit, pas marrjes së miratimit të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Organet e vetëqeverisjes vendore bëjnë publike, nëpërmjet mjeteve të informimit publik në faqet e tyre të internetit dhe shpalljes në vende të dukshme pranë institucionit të tyre:
- a) kërkesat që duhen plotësuar për t’u trajtuar nga programet e procesit të rindërtimit;
- b) personat përgjegjës me të cilët duhet kontaktuar për plotësimin dhe ndryshimin e të dhënave të formularit apo për çdo sqarim tjetër për plotësimin e tij;
- c) dokumentacionin që kërkohet për verifikimin e të dhënave që deklaron subjekti i interesuar;
ç) procedurën që ndiqet nga njësia e vetëqeverisjes vendore për miratimin e përfituesve;
- d) organin ankimor, të cilit duhet t’i drejtohet subjekti që nuk është përzgjedhur si fitues, si dhe afatet kohore.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin të gjitha masat e mundshme që informimi publik të jetë i aksesueshëm dhe i kuptueshëm për të gjithë individët.
Përfituesit nuk mund të përfitojnë në të njëjtën kohë nga më shumë se një program i procesit të rindërtimit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në aktin normativ që rregullon përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.
Subjektet përfituese nga programet e procesit të rindërtimit trajtohen dhe përfitojnë, si më poshtë vijon:
-Familjet, që kanë humbur banesat si pasojë e shembjeve të ndërtesave (pallateve), përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i rindërtimit të godinave në të njëjtin truall ose programi i fondit të banesave. Struktura e njësisë së banimit (apartament), që i kalohet në pronësi përfituesve në ndërtesat e reja, llogaritet sipas tabelës A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Strukturë njësie në kuptim të kësaj pike është sipërfaqja e shkelshme e banesës në numër dhomash, kuzhinë, korridor, banjë e ambiente ndihmëse.
-Familjet në qytet, që kanë humbur shtëpitë individuale si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit ose programi i fondit të banesave.