Në përfundim të tryezës së parë për reformën zgjedhore ku krahas mazhorancës dhe opozitës parlamentare, mori pjesë edhe opozita joparlamentare, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi se reforma do të bëhet me konsensus.
“Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus dhe kjo gjithëpërfshirje e konsensus të shkojë deri në fund. Kemi asistencën ndërkombëtare. Pas kaq kohësh nga kërkesa jonë, për të arritur këtë do të institucionalizohet një forum, Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer gjithë këtë reformë”, deklaroi Bylykbashi, duke iu referuar konkluzioneve të tryezës.
Nga ana e tiij përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se duhet një garanci e ekspertizës ndërkombëtare që adreson çështjet që kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit dhe zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri.
“Krijon mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të kenë mundësinë të shprehen dhe të realizohet konsensusi që i ka munguar procesit. Besoj se në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejt që në rast të përgjegjshmërisë së duhur do të ishte një mundësi për të ecur para dhe për të çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të blera”, tha Vasili.
Në tryezën e tyre palët rënë dakord se reforma zgjedhore miratohet jo më vonë se 15 mars dhe se aty ku mungon konsensusi, ndërhyn OSBE/ODIHR.
g.kosovari