Nga Ylli Pata
Disa e thërrasin Qazim apo Kasem, por emri i kryekomandantit të Brigadës Jeruzalem, apo Qouds të Gardës Revolucionare iraniane, i vrarë me bombë nga SHBA, në persisht shqiptohet diçka në mes.
Qassim Sulemani kishte gradën e general majorit, por nuk ka kryer asnjë asnjë akademi ushtarake.
Pas një ekperience prej furnitori të ndërmarrjes së ujësjellësit në një qytet të Iranit, ai u kthye në njëriun më të famshëm të Lindjes së Mesme.
Në adresën e tij në Instagram kishte miliona ndjekës, ndërkohë që Kenneth Pollack, në portretin që i kushtoi gjeneralit në revistën Time, ku përshkruheshin njerëzit më të fuqishëm të planetit për 2020-n, shkruante se Sulemani është një lloj James Bond, Ervvin Rommel apo Lady Gaga.
Për nofkën e parë analisti i CIA-s theksonte se si 007 i famshëm, Sulemani, ishte një operativ perfekt, që thuajse nuk ka dështuar asnjëherë, një Ervvin Rommel, pasi si gjenerali gjerman i Luftës së Dytë Botërore, ishte një mjeshtër i luftës në shkretëtirë, ndërsa si Gaga, pasi është një nga personazhet e kthyer në anti-Trump.
Aq i rëndësishëm ishte gjeneral Sulemani, sa në vitin 2016, kur Putin vizitoi Sirinë në mes të luftës civile, përpara se të takonte Bashar al Asadin, u takua me kreun e Brigadës Qouds, Qassim Sulejmani.
Brigada Jerusalemi(Qouds), nuk është një njësi operacionale ushtarakisht e organizuar në mënyrë konvencionale, por një forcë e vërtetë diplomatike, që ka ngritur në të gjithë Lindjen e Mesme ushtri dhe grupe guerrile, që kanë rezultuar të tmerrshme prej mbi 40 vjetësh.
Që nga Hezbullahët në Liban, që janë aktualisht forca më me peshë atje, Hamasi në Gaza, që ka vënë në hije OÇP-në e Arafatit, trupat siriane, forcën e frikshme prej 22 mijë ushtarësh shiitë në Irak, që ishte kollonë kyçe në luftën ndaj ISIS.
Sulemani, i cili kishte lidhje direkte me kreun suprem të Iranit, Khomenei, ishte më i fuqishëm edhe se presidenti i Iranit, Rouhani.
Paratë nuk i merrte nga qeveria, por nga vetë kreu Suprem.
Por vitet e fundit, buxheti për Brigadën Qouds kishte rënë së tëpermi nga sanksionet amerikane dhe bazohej vetëm nga burimet lokale, ku Sulemani zhvillonte aksionet.
Ndaj edhe lëvizte shumë, kryesisht në rajonet irakene, ku nafta kontrollohet nga krerët lokalë.
Por që prej disa vitesh, gjenerali i vrarë nga SHBA ishte mjaft i njohur edhe për shërbimet sekrete shqiptare.
Që prej ardhjes së 3 mijë opozitarëve të regjimit të Teheranit në Shqipëri prej Irakut, Tirana e Manza u bënë zona primare të vëmendjes së shikimit të mprehtë të 62- vjeçarit, i cili në 1999 detyroi presidentin e atëhershëm të Iranit, Mohamad Khatami, të shtypte lëvizjen studentore për të shpëtuar regjimin, duke e kërcënuar edhe me grusht shteti.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu e përmendi publikisht disa muaj më parë kreun e Brigadës Qouds si njeriun që ka urdhëruar atentatin me makinë bombë në kampin e muxhahidinëve në Kashar tek City Park, shkak që çoi në lëvizjen e tyre drejt Manzës.
Në fakt, opozitarët iranianë të vendosur në Shqipëri e përmendin shpesh gjeneralin e vrarë nga SHBA.
Në rrëfimet e tyre ata thonë se ai ka qenë organizuesi i sulmeve ndaj tyre në kampin Ashraf Irak në vitin 2011.
Pikërisht pas këtyre sulmeve ku u vranë dhjetra muxhahedinë dhe kreu i tyre, SHBA nxitoi t’i transferojë në një vend aleat, siç ishte Shqipëria.
Muxhahedinët thonë se përpara sulmeve, jashtë kampit për një kohë të gjatë është zhvilluar një torturë me megabokse zëri, duke i përsëritur frazat 24 orë në ditë se ata do të vriteshin.
Sulemani ka qenë edhe njeriu që ka ndikuar për të sjellë në Shqipëri si diplomatë, ekspertët e luftës ndaj opozitës, të cilët më pas u larguan nga Shqipëria duke u shpallur non grata.
Ka zëra nga opozitarët iranianë se Qassim Sulejmani ka ardhur në një vend fqinj me Shqipërinë para disa vitesh, ku është takuar edhe me persona të njohur këtu për të ngritur një zhurmë kundër muxhahedinëve, por kjo nuk është vërtetuar…
TemA