Një operacion i koordinuar midis Gardës Civile spanjolle dhe policisë gjermane ka bërë të mundur arrestimin e një krimineli shqiptar, i akuzuar për pjesëmarrje në dhjetëra sulme nëpër vila dhe shtëpi në provincat e Huesca dhe Lleida.
Drejtësia spanjolle ka kërkuar nga autoritetet gjermane ekstradimin e tij, për t’u përgjigjur për këto vjedhje. Me arrestimin e shqiptarit, banda e hajdutëve të cilëve i përkiste, me 13 anëtarë u çmontua plotësisht. Operacioni ndaj bandës filloi në prill 2018.
Rasti kthehet më shumë se dy vjet më parë, kur forcat spanjolle nisën një operacion për çmontimin e bandës që kishte kryer valën e grabitjeve.
Hetimet e kryera midis Gardës Civile dhe Mossos ngushtuan rrethimin kundër një grupi të organizuar të shtetasve të huaj, të cilët udhëtuan për në Spanjë për të kryer grabitjet. Ata janë akuzuar për kryerjen e 75 vjedhjeve në provincat e Huesca dhe Lleida.
Në prill 2018, forcat e sigurisë zbuluan vjedhjen e katër shtëpive dhe arrestuan njëmbëdhjetë vetë në Lleida dhe Reus (Tarragona) për pjesëmarrjen e tyre në bandë.
Për më tepër, në mesin e grabitjeve, ishin edhe 11 makina të vjedhura, ndërsa u është kapur edhe 1.1 kg kokainë.
Hetim i mundimshëm për të ndjekur gjurmët
Në atë operacion, dy anëtarët e tjerë të bandës shpëtuan, dy të rinj shqiptarë të moshës 26 dhe 29 vjeç. Që atëherë, Garda Civile ishte e përkushtuar të ndiqte gjurmët e tyre dhe për të gjetur vendndodhjen. U zbulua se ata ishin larguar nga Spanja. Të arratisurit nga drejtësia spanjolle, kërkuan strehim jashtë vendit. Më në fund, Garda Civile arriti t’i zbulonte edhe falë ndihmës së autoriteteve gjermane dhe hungareze.
Siç ka zbuluar tani Garda Civile, njëri prej atyre kriminelëve, 29-vjeçari, u arrestua në Hungari gushtin e kaluar, dhe iu dorëzua autoriteteve spanjolle më 6 shtator. Ai ka qenë në burg që atëherë.
I pandehuri tjetër, 26 vjeç, është arrestuar në Gjermani, më 29 nëntor dhe tani ka përfunduar në Spanjë.
“Me këto arrestime, Garda Civile konsideron se grupi kriminal që ata i përkisnin të ishte plotësisht i shkatërruar,” thanë të hënën burime të Benemérita. /Panorama
g.kosovari