Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj ka bërë bilancin e vitit që po mbyllet duke u ndalur edhe te nisma e Shengenit Ballkanik. Kreu i ekzekutivit të Kosovës thotë se mbajtja e taksës 100% kundër mallrave serbe nuk e pengon reciprocitetin. Tentimet për Shengenin Ballkanin dhe reciprocitet, sipas tij po bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën.
Megjithatë, Haradinaj thekson se orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal, drejt NATO-s dhe jo Rusisë. Kosova refuzoi ftesën për të marrë pjesë në Samitin e Tretë që u zhvillua në Tiranë të shtunën, ndërsa pati disa pati disa replika në distancë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Postimi i plote i Ramush Haradinajt
Në pritjen e fundvitit të organizuar nga Zyra e Kryeministrit përmbyllëm një vit me suksese, sfida, e dhimbje.
Unë poashtu isha i sfiduar me ftesën e papritur në moment kritik. Dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit.
➢ Sukseset:
1Ushtria e Kosovës po konsolidohet në ushtri inteligjente me standarde të NATOs;
- Kosova ka arritë pavarësinë energjetike dhe Trepça është gati për investime;
- Investitori i parë strategjik SOËI + Parku ITP – me Gjermaninë;
- Shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit edhe në Veri të vendit;
- Transparencë e plotë në qëndrime politike, vendime dhe qasje në dokumente zyrtare – tani më është bërë ndryshimi duke instaluar kulturën qeverisëse me llogaridhënie të plotë.
➢ Sfidat
- Injorimi i arritjeve të Kosovës drejt liberalizimit të vizave për arsye politike nga BE;
- Rikthimi i dialogut në binarë – dialog mes shteteve e jo dialog për nënshtrim – Kjo logjikë duhet të vazhdojë deri në njohje reciproke në kufijtë ekzistues pa vonesa e sfida artificiale;
- Mbajtja e taksës 100% e cila nuk e pengon reciprocitetin. Tentimet për Minishengen dhe reciprocitet bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën. Orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal. Drejt NATO-s e jo Rusisë.
- Keqpërdorimi i ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike është i rrezikshëm dhe ne duhet të jemi bashkë në luftimin e kësaj.
➢ Dhimbje:
- Tërmeti në Shqipëri na goditi të gjithëve pa dallim.
- Sulmet terroriste anembanë botës e qytetarëve të lirë i përjetuam rëndë. Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-ve dhe aleancës globale kundër terrorizmit.
➢ Krenari:
- Sukseset e rinisë së Kosovës në sport e kulturë kanë mahnitur botën.
➢ Mësimet nga ky vit:
- Kur jemi unik jemi më të fortë – bashkë në tema nacionale.
- Kalkulimet për një grusht votash nuk e bëjnë shtetin.
Ju uroj festat e fundvitit!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e Bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj.