Nga Ilirjan Gjika
Gjatë viteve 1205-1370 në bregdetin e lindor të Adriatikut funksionoi edhe Spinarica. Qyteti-port u ngrit në grykëderdhjen e lumit Vjosa vetëm disa kilometra në J-P të Apolonisë së dikurshme e cila gjatë mesjetës u shndërrua në një vendbanim të vogël rural me, emrin Polina. Spinarica lidhej me të me anë të një rruge dhe më pas, rrjeti i rrugor i ngritur qysh në kohët antike e lidhte atë gjatë mesjetës me Beratin dhe Gllavinicën nga ky kryheshin lëvizjet e mallrave të ndryshme të eksport-importit.
Arsyet e ndryshme sollën edhe fundin e portit të Spinaricës.Pas vitit 1370 edhe qyteza e saj u braktis nga tregtarët, detarët dhe artizanët të cilët u zhvendosën natyrisht drejt Vlorës fqinje nga ku mund të ushtronin zanatet dhe aktivitetin e tyre. Gurët e kështjellës, bankinave, magazinave dhe banesave u morën prej banorëve të vendbanimeve fqinje për tu përdorur si material ndërtimi. Prej tyre mbeti vetëm kisha e Shën e Premtes e cila si vend i shenjtë nuk u prek nga vala e shkatërrimit. Po kështu mbetën edhe kriporja aty pranë, ullishtat si dhe toponimet e dikurshme, të cilat ruhen edhe sot si: ‘’Portiqi’’dhe ‘’Laçaj’’.
Portiqi është një vend që ndodhet në pjesën perëndimore të kishës së Shën e Premtes. Dikur ai quhej lumi i Portiqit dhe ishte një nga meandrat e braktisur të Vjosës.Emri i tij nuk është gjë tjetër veçse forma popullore e termit ‘’port’’ që tregon ekzistencën e portit të dikurshëm të Spinaricës. Prej tij anijet futeshin në grykën e lumit Vjosë dhe ankoroheshin në bankinat e tij.
Ndërsa Laçaj mendohet se është shumësi i emrit popullor ‘’Laço’’ që do të thotë djall, i keq, i ligë.
1
Për herë të parë këtë emër e ndeshi në radhët e popullsisë vendase të kësaj pjese të Myzeqesë, diku në mesin e shekullit të XIX, peshkopi i Mitropolisë së Beratit, Anthim Aleksudhi (1855-1887). Në librin e tij “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, botuar në Korfuz në vitin 1868, tek kapitulli ‘’Shënime për Apolloninë të Epirit të Ri’’, ai shkruan midis të tjerave se: ‘’…jo shumë larg ku derdhet sot (Vjosa-shënimi ynë) nga ana e vendit të quajur Laçani (udhëshenja demonësh-djajsh) ku ndodhet një kështjellë e vjetër që ndofta u nevojitej banorëve të Apolonisë’’ (Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, Ionia, Kerkyra 1868, f. 42).
Një gjë të tillë na e dëshmon edhe shkrimtari e studjuesi Aristotel Mici, një njohës i mirë i kësaj zone.Në artikullin e tij me titull: ‘’Reth portit të dikurshëm detar të Apolonisë’’, Mici shkruan se: ‘’Gjithnjë sipas rrëfimeve gojëdhanore të peshkatarëve dhe të barinjve, njerëzit në ato kohëra i lanë shtëpitë, i braktisën nga shkaku i shejtanëve të tmerrshëm, që dilnin nga deti. Këta shejtanë quheshin Laço. Nga ky emër i “Laçove” vendi u quajt Laçanë, kurora e lumi atje u quajt kurora e Laçanit dhe kisha filloi të thërritej po ashtu Shën e Premtja në Laçanë” (Aristotel Mici, ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’, Dielli, 16 gusht 2014).
Duket se këto dëshmi të mbledhura mbi bazën e tregimeve popullore vërtetohen edhe nga dokumentet historike. Kështu në gusht 1270 një anije nga Brindizi sulmohet në Spinaricë. Ndërsa një dokument i datës 1 maj 1277 njofton se: “Dy piratë nga Butrinti, njerëz të Bizantit rrëmbyen një anije veneciane të ngarkuar me mel dhe grurë në Spinaricë dhe e dërguan atë në Butrint” (A. Albaniae I, 794, 529).
Kështu, rreziqet e ardhura nga deti bënë që popullsia e Spinaricës të largohej dhe ajo të shfrytëzohej vetëm për qëllime sporadike ushtarake. E braktisur prej kohësh tashmë në dokumentat perëndimore ajo përmendet me emrin e dikurshëm, Apoloni. Vetëm në fundin e shekullit të XV, marina perandorake osmane nisi ta ripërdorë përsëri gjatë përgatitjeve të saj për zbarkimin në Otranto. Një fakt të tillë na e jep një letër e datës 9 janar 1480. Në të, Rektori i Raguzës, i shkruan mbretit të Napolit se: ‘’Pranë Apolonisë shumë e madhe duhet të jetë përgatitja e ushtrisë kalorëse dhe këmbësore të turqve, që aty është mbledhur…’’ (Injac Zamputi, Dokumente të shekullit te XV për historinë e Shqipërisë, Tiranë 1967, f. 49).
Po i njëjti person në letrën tjetër që i dërgon mbretit të Napolit në dt 15 qershor 1481, midis të tjerave thekson se: ’’…në Apoloni nuk gjenden më shumë se pesëqind turq që ruajnë keq dhe me mospërfillje flotën që është tërhequr në tokë…’’ (Po aty, f. 68).
Më pas Spinarica do të braktiset nga osmanët dhe do të bëhet përsëri vendstrehim i piratëve. Ja seç thuhet në një relacion venedikas të viti 1570 për Shqipërinë ‘’…lumi i Apolonisë, strehim dhe liman i fusteve të piratëve…’’ (Injac Zamputi, Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, Tiranë 1989, f. 276).
Ky është edhe fakti që në shekullin e XV pjesa perëndimore e Myzeqesë së Vogël ( të Fierit) në qendër të së cilës gjendet Spinarica figuron e pabanuar apo e braktisur. Sipas Regjistrit Kadastral të Sanxhakut të Beratit, në vitin 1431-32, përgjatë kësaj pjesë të bregdetit nuk gjendet asnjë vendbanim (Halil Inalcik, Defter-i Sancak-i Arvanid, Hicri 835 Tarihli Suret-i, Türk Tarih Kurumu, Ankara, 1954).
Vetëm në Regjistrin Kadastror të Sanxhakut të Vlorës të vitit 1570, në këtë territor ndeshim fshatrat Apolonia me 155 banorë, Radostinë me 38 banorë dhe Levan me 294 banorë. Por edhe këta të vendosur rrëzë kodrave dhe disa larg bregdetit. Regjistrat osmanë tregojnë se kjo pjesë e Myzeqesë nisi të popullohej pas shekullit XVI me popullsi të zbritur nga krahinat përreth. Në shekullin e XVII në këtë zonë na shfaqen fshatra të tillë si: Shtyllasi, Bishani dhe Semani, ndërsa në shekullin e XVIII, Boçova, Poro, Fikasi, Sopi dhe Qarri.
Popullsia e tyre që i përkiste besimit ortodoks ngriti edhe faltoret e këtij kulti.Në muret e tyre dhe të shtëpive fqinj përfunduan gurët e kështjellës dhe ndërtimeve të Spinaricës. Sipas Aleksudhit enoritë e kishës ortodokse të kësaj zone ishin ato të Semanit me 114 familje që i bënte ritet fetare në kishën e Shën Triadhës, Enoria e Pojanit dhe Sinanbellisë me 127 familje, që ritet i kryente në kishat e manastirit të Shën Mërisë së Apolonisë, të Shën Marinës në Sinanbelli, të Shën Thanasit dhe Shën Parashqevisë në Pojan dhe Shën Ilias në Shtyllas; Enoria e Shën Pjetrës, Hoxharës dhe Kavakllisë e cila kishte 124 familje të cilat i kryenin shërbesat fetare në kishat e Shën Pjetrit dhe Palit në Shënpjetër dhe Shën Nikollës në Hoxharë; Enoria e Poros, Bishanit dhe Pishës që kishte në përbërjen e saj 92 familje, të cilat përdornin si objekt kulti, kishën e Shën Gjergjit në Poro ( Alexoudes, f. 59, 64).
Çuditërisht në këtë inventar të objekteve të kultit të bashkësisë ortodokse të zonës bregdetare nga Vjosa në Seman mungon kisha e Shën e Premtes. Me të drejtë lindin pyetjet: Përse ka ndodhur një gjë e tillë? Përse ky objekt nuk shfrytëzohej për organizimin e riteve fetare kur ajo ishte edhe kisha më e vjetër, krahas asaj të manastirit të Apolonisë?!
Duket se ky fakt e ka një shpjegim i cili ka të bëjë përsëri me Spinaricën. Si duket, Shën e Premtja, nuk u përdor nga kleri ortodoks ndoshta se kishte qenë dikur një kishë e ritit katolik, e ndërtuar nga raguzianët apo venecianët për nevojat e tyre. Çuditërisht ajo frekuentohej shumë prej banorëve që populluan këtë pjesë të Myzeqesë, të cilët besonin në mrekullitë e saj.
Biles edhe vendbanimet e reja që u krijuan në këtë zonë u ngritën relativisht larg saj. Prandaj edhe Prashnikeri që e vizitoi atë në vitin 1916, konstatoi se ajo ishte një kishë e vjetër e braktisur në mes të kënetës. Edhe vendbanimi më i afërt prej saj, Povelç, që u ngrit vetëm nbë fillim të viteve 1960. ‘’Në vendin ku sot shtrihet qyteza e re Povelçë, nuk ka pasur më parë asnjë shtëpi’’, shkruante në studimin e tij me titull ‘’Vështrim rreth popullsisë së ardhur në vendbanime të krijuara pas Çlirimit në mjedise bujqësore, etnografi Mark Tirta (Etnografia Shqiptare, nr. 13, Tiranë 1983, f. 17).
2
Në vitin 1978 në Myzeqenë e Madhe rreth 20 kilometra në veri të Spinaricës, arkeologu Neritan Ceka, bëri një zbulim të rëndësishëm. Ai gjeti në fshatin Ndërnënas të Libofshës në ish shtratin e dikurshëm të lumit Seman, rrënojat e kullës së Pirgut (Neritan Ceka, Pirgu i Myzeqesë, Monumentet historike në vendin tone, Sh. B. ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1979, f. 68-71).
Kulla shërbente për të mbrojtur qytetin-port të Pirgut. Po kështu të njëjtin funksion kryente edhe kështjella e Bashtovës për portin lumor të Vregut që ishte një tjetër skelë lumore mesjetare mbi lumin Shkumbin. Duke patur të njëjtën strukturë dhe funksione arsyeja na çon tek mendimi se si Pirgu apo Vregu edhe Spinarica duhej që të ishte e pajisur me një kullë apo kështjellë mbrojtëse.
Pikërisht rreth ekzistencës së saj një të dhënë të rëndësishme na e jep Aleksudhi. Pasi bëri inventaret në terren të kishave dhe komuniteteve ortodokse që bënin pjesë në administrimin e Mitropolisë së Beratit, kleriku dijetar, e konstatoi vetë një fakt të tillë në Laçanë. Te e njëjta vepër ‘’Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, ai shkruan se aty: ‘’…ndodhet një kështjellë e vjetër…’’ (Alexoudes, f. 42).
Pra, në kohën kur Aleksudhi mori detyrën e mitropolitit në vitin 1855 rrënojat e kështjellës ishin në ‘’këmbë’’ ndërsa në vitin 1916 ajo nuk ekzistonte më. Si duket muret e saj ishin shfrytëzuar nga popullsia vendase në këtë zonë të Myzeqesë të varfër me material ndërtimi.
Ndërkohë për gjurmët e qytetit të braktisur ka të dhëna të tjera. Banorët vendas tregojnë se këtu pranë kishës së Shën e Premtes dikur ka pasur rrënoja shtëpish të vjetra. Të dhëna të tilla të mbledhura në kërkimet e tij etnografike në këtë zonë na i sjell edhe studiuesi vendas, Kozma Ndoni, në librin e tij ‘’Kujtesa e popullit të trevës së Semanit’’ (Kozma Ll. Ndoni, Kujtesa e popullit të trevës së Semanit, Ymeraj 1, Fier 2015, f. 500).
Ndërsa Aristotel Mici tregon për një korije ullinjsh të cilën e kishte vizituar dikur në terren. ‘’Barinj dhe peshkatarë pleq të zonës përreth tregonin se ato ullastra janë shenja që dëshmojnë se për rreth tyre dikur, një herë e një kohë, kishin pas qenë oborre shtëpish…’’, thekson midis të tjerave Mici në ligjëratë të drejtë në shkrimin e tij studimor ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’.
Këtyre kopshteve i përkisnin edhe një bllok i mbjellë me mollë që ndodhej aty pranë.Prej saj vjen edhe hidronimi ‘’Vija e Mollës’’ i cili është edhe sot një nga kanalet ujore pranë kishës së Shën e Premtes.
Por prania e qytezës dhe e portit të Spinaricës provohet edhe nga një tjetër e dhënë. Ajo vjen nga vrojtimi në terren i gjurmëve të degës jugore të Egnatias. Gjatë kërkimeve të zhvilluara në vitet 2003-2005 në itinerarin Elbasan-Apoloni-Aulon, ekspedita arkeologjike në zonën që po trajtojmë, ranë gjurmët e një segmenti të vjetër rrugor, e cila përshkonte edhe itinerarin Shënëpremte-Sop-Pojan (Ilir Gjipali, Kërkime në degën jugore të Egnatias, Iliria XXXII, 2005-2006, f. 315).
Ekzistenca e Shën e Premtes si vendkalim rrugor na çon përsëri te ideja se pas largimit të lumit Vjosa nga Apolonia, u krijua në grykëderdhjen e saj të re disa kilometra nga ky qytet, porti i ri i Spinaricës. Fillimisht ai ishte në funksion të Apolonisë ndërsa më pas gjatë mesjetës kur ajo u braktis, Spinarica, të dilte tashmë si qytet-port. Këtu pa dyshim konsiston edhe hipoteza e Milan Shuflait, kur në librin e tij, ‘’Serbët dhe Shqiptarët’’ ai shkruan se: “Si shembull i Dukles është Apolonia në jug. Kjo përmendet për herë të fundit nën mbretin Justinian në katalogun e qyteteve të Hieroklit. Pak më vonë u shua sidomos nga shkaku i rritjes së moçaleve dhe sulmeve të armikut. Me banorët e saj u mbushën qytetet e vogla që gjenden rreth e qark, bazën e të cilave e përbënin kështjellat e vjetra bizantine. Kështu u formua Spinarica e kohës së mesme mbi grykën e Vjosës…’’(Milan Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët’’, Bargjini, 2001, f. 82).
Kështu mund të themi se: Kisha e Shën e Premtes, toponimet Laçaj-piratë, portiq-port, prania e pemëve frutore dhe ullinjve të mbjella nga njerëzit, gjurmët e rrugës, apo kriporja pranë saj, janë të dhëna të pakundërshtueshme që përforcojnë faktin se, Spinarica ndodhej në Povelçë të Fierit, pranë kishës së Shën e Premtes. Po kështu edhe dëshmitë e ekzistencës së një kështjelle pranësaj, i japin fund aludimeve për ta kërkuar vendndodhjen e Spinaricës diku tjetër, qoftë në Zvërnec apo Delisuf të Vlorës. Gjithsesi do të jetë arkeologjia, ajo, që do ta ‘’thotë fjalën e fundit’’. Gjetja e gjurmëve të kësaj fortesë do ta zgjidhë përfundimisht problemin e identifikimit të plotë ashtu siç ndodhi dikur edhe me Pirgun fqinj. (Milosao)