Nga Roland Qafoku
Më në fund, ajo që prej 3 vjet e gjysmë e prisnim u formua dhe tashmë Shqipëria ka Strukturën e Posaçme Anti Korruposion, SPAK. Janë 8 prokurorë që të paktën nga ajo që është trumbetuar, thënë e stërthënë, pritet t’i bëjnë gjëmën pjesës së korruptuar të politikës shqiptare. Por pyetja e madhe është a do arrijë kjo strukturë pritshëmritë e opinionit shqiptar? A do arrijë ajo që hajdutët, të babëziturit, të fortët, të paprekshmit por dhe më të urryerit e politikës, t’i fusë në qeli? A do arrijë ajo të thyejë mitin e atyre që nuk i gjen gjë sa të jenë në politikë dhe pushtet? Më thjeshtë akoma po perifrazoj pyetjen e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi: Vërtetë do bëjnë këta ndonjë gjë këta, apo edhe kjo gjë do jetë kot?
Ndonëse përgjigjet e këtyre pyetjeve të bëjnë të mendohesh gjatë, unë futem te ata që janë optimistë. Në radhë të parë besoj te investimi i SHBA-së si investimi më serioz në historinë e drejtësisë shqiptare dhe së dyti në integritetin dhe atë që përfaqësojnë të 8-tët e SPAK. Fjalë, akuza dhe sharje të tipit “ky ka punuar në komunizëm” dhe “ky tjetri është djali i atij” dhe “kjo vajza e asaj” janë pikërisht reminishenca të atij komunizmi. Se nëse mbështetemi në llogjikën se në cilën periudhë ideale duhet të jetonin anëtarët e SPAK, i bie që kjo strukturë të përbëhej me studentët e vitit të parë të Juridikut si më të kulluarit dhe më të pandikuarit në biografinë e tyre.
Unë besoj se të 8 prokurorët dhe më shumë te Arben Kraja. Kam lexuar këto ditë lloj lloj cilësimesh. Në cilësinë e një gazetari që prej 23 vjetësh ndjek modestisht me shumë interes çështjet e drejtësisë kam vlerësimin maksimal për të si njeri me integritet, profesionist dhe jam i bindur që do arrijë maksimumin e asaj që kërkohet. Por ky natyrisht është një perceptim i imi personal që edhe nëse vlen për opinionin mbaron pikërisht sapo Kraja dhe të 7-të të tjerët futen në zyrën e punës së tyre. Ajo që mendoj se ia vlen është një thirrje publike që unë ia drejtoj zotit Kraja.
Zoti Kraja, sot ju jeni përballë një megasprove. Si askush tjetër, sot ju keni në dorë fatet e një perceptimi publik që lidhet me ndëshkueshmërinë ose jo të atyre që e kanë bërë pis këtë vend. Pikërisht për këtë arsye, për nga rëndësia, sot në Shqipëri ju vleni më shumë se presidenti, se kryeministri dhe se i gjithë parlamenti të marrë së bashku. Fiks fare, ju sot keni ne dorë fatin e Shqipërisë.
Ju lutem zoti Kraja, bëjeni këtë vend. Jepni drejtësi. Vendosni para drejtësië ata politikanë dhe zyrtarë që e shkatëruan këtë vend që e bënë pothuajse të pabanueshëm. Vendosni prapa hekurave ata maskarenj që e vodhën non stop këtë vend për 30 vjet me radhë. Ata që ia pinë gjakun këtij vendi dhe e lanë të varfër. Më të varfrin në kontinent, po në atë vend ku ishim në 1990 kur kërkuam barazi me Evropën. Bëjeni këtë zoti Kraja, për vete, për familjen tuaj dhe për të gjitha familjet shqiptare. Për ata që në këto 30 vjet e braktisën Shqipërinë dhe pasi hodhën një gur pas e quajtën një vend që nuk bëhet. Bëjeni këtë zoti Kraja. Bëjeni që ky popull të shikojë se hajduti ndëshkohet. Bëjeni jo duke parë nëse hajduti është i majtë apo i djathtë, socialist apo democrat. Bëjeni në radhë të parë ndaj qeveritarëve sepse vetëm kështu do ketë vlerë.
Bëjeni zoti Kraja që ky popull të shikojë se ai që është bërë milioner pa djersë ka fund vetëm burgun. Bëjeni Zoti Kraja që me anën e drejtësisë ky popull të fitojë shpresën e humbur! Bëjeni se do merrni bekimin e një populli të tërë.Të një populli që ka besuar shumë në këto 30 vjet por që është zhgënjyer dhe tani sytë dhe veshët i kanë nga ju? Mos e dhëntë zoti dhe zhgënjehemi edhe nga ju. Kjo do të ishte fatale. Jo personalisht për ju, por për këtë popull. Qeveritë shkojnë dhe vijnë, por Shqipëria është një. Dhe Shqipëria kërkon drejtësi zoti Kraja. Ju personalisht dhe shtatë kolegët e tjerë jeni shansi i fundit i Shqipërisë.