“Liri – Demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. Liri – Demokraci është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa”.
Kështu shkruan kryedemokrati Lulzim Basha me rastin e 29-vjetorit të Partisë Demokratike.
Ai shton se për 29 vite, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës dhe se kjo është arritja më e madhe e saj në këto 29 vjet.
“Sot shqiptarët i kanë sytë nga ne për të finalizuar misionin për të cilin u themelua Partia Demokratike si garante e lirisë, e demokracisë dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, thotë kryedemokrati.
Basha shprehet më tej se shqiptarët meritojnë të votojnë të lirë për qeverisjen e tyre, ata meritojnë një qeveri që punon për mirëqenien e tyre, që respekton fjalën e lirë dhe të drejtën e pronës, një qeveri që bën më të mirën për të siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj.
“Fëmijët tanë meritojnë të rriten si shqiptarë europianë në Shqipërinë tonë të bukur, Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe së bashku do ta bëjmë realitet! Gëzuar 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, thotë në mbyllje Lulzim Basha.
g.kosovari