Ekspertë të huaj dhe shqiptarë po bashkëpunojnë për menaxhimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Asistencë po ofrohet edhe prej inxhinierëve nga Japonia, një vend i njohur për lëkundjet e shpeshta sizmike.
“Situata është serioze, po duhet të jemi të kujdesshëm me ndërtesat që kanë marrë krisje të konsiderueshme. Si hap i parë duhet të mblidhen të dhënat në terren, të përllogariten dëmet dhe më pas do të shohim se çfarë mund të bëjmë”, thotë Aya Kubota, nga Universiteti i Tokios.
Emergjente e quan inxhinierja Luljeta Bozo inspektimin e godinave të dëmtuara. Pallatet e vjetra që kanë pësuar dëmtime mendon se duhet të shemben.
“Është më mirë të mos bëjnë arna për ato që janë në fund të jetës. Nga vitet 50 deri tani i thonë 69 vjet, prandaj ai do të durojë edhe 10 apo 15 vjet. Çdo objekt ka jetëgjatësinë e vet. Të vjetër kanë qenë me teknologjinë e asaj kohe, ndaj është më mirë të hiqen fare e rindërtohen”.
Sipas të dhënave nga Zyra e Emergjencave në Bashkinë e Tiranës, deri në kryeqytet janë shpallur të pabanueshme 50 pallate, 95% e të cilave në zonën e Kombinatit. /e.s/