Nga Fatjon Baze – Golem
Mëngjesi i 26 nëntorit, nuk ishte një zgjim i zakonshëm në Shqipëri, pasi një pabesi e natyrës rreth orës 04:00, bëri që një tërmet 6.4 ballësh të godiste vendin tonë, duke shkaktuar 51 viktima dhe qindra të plagosur. Ishtë një mëngjes i frikshëm dhe trauma e shkaktuar nga ai tërmet i tmerrshëm ishte mjaft e madhe.
Fëmijët që duhet të përgatiteshin për në shkollë, në ato orë dramatike duhet që të braktisnin shtëpitë e shkatëtrruara dhe të flinin nëpër makina. Edhe prindërit e tyre nuk do të përgatiteshin për të shkuar në punë, por do të duheshin të kujdeseshin për fëmijët e tyre – ndërkohë që përveç kësaj iu duhet që të braktisnin shtëpitë me gjithçka ç’kishte brenda, pasi shanset për të qëndruar aty ishte e pamundur.
Pas fjetjeve disa ditë nëpër çadra, qeveria shqiptare në bashkëpunim me pronaret e hoteleve, kanë arritur një marrveshje që çdo familje, që shtëpia apo pallati i ka dal i pabanueshëm, apo që janë ende në proçes verifikimi të strehohen përkohësisht në hotele – ku do të kenë të përfshira, ushqimin në mëngjes, drekë dhe darkë, të gjitha të mbulura nga shteti.
Aty janë të pranishëm gjithashtu edhe infermierët për çdo rast emergjence që mund të ketë ndonjë person. Një pjesë e madhe e banorëve të prekur nga tërmeti janë akomoduar në disa prej hoteleve kryesore të plazhit të Golemit.
Por, si janë kushtet dhe si e kalojnë ditët familjet dhe fëmijët që janë akomodur në këto resorte?
Në një vëzhgim të kryer nga Gazeta TemA, banorët shprehen mjaft të kënaqur me shërbimin, ushqimin, dhe kushtet, që kanë tashmë përkohësisht në “shtëpinë” e të tyre të dytë.
Por, meraku i tyre me të drejtë është e ardhmja se si do tu zgjidhet ky problem që u ka ndodhur nga kjo fatkeqsia natyrore dhe mendja e tyre qëndron tek banesat e prishuara nga tërmeti.
“Falenderojmë stafin e “Hotel Bonita”. Gjithçka deri më tani ka qënë shumë mirë. Mikëpritja nga të gjithë punonjësit është e mrekullueshme. I falenderoj shumë”, shprehen Taulanti nga Golemi, i cili është një nga të strehuarit në hotel, pasi pallatit të tij i është vendosur shiriti deri në verifikimin e plotë, nëse do të rikonsrtruktohet apo do të shëmbet.
“Asgjë nuk na mungon. Dhomat janë të mira. Gjithashtu dhe pritja që na është dhe ambienti ku po qëndrojmë janë shumë të mira”, shprehet Shpëtimi që është akomoduar në hotel bashkë me bashkëshorten e tij.
“Deri më tani jemi mirë, nuk kam për çfarë të ankohem. Por, me mendje jam ende tek shtëpia. Nuk e dim ende se çdo bëhet me atë shtëpi. Nuk e di si do na e zgjidhin”, tha Vjollca që është në ankth se si do jetë fati i pallatit ku ajo ka banuar, për të cilin siç tha ajo ende nuk dihet akoma nëse do t’i prishet apo të rikonstruksohet.
Megjithatë, vemendja kryesore është tek fëmijët, të cilët duhet ta harrojnë sa më parë atë ditë. Dhe këtu është menduar që për ta të ketë disa aktivitete.
Çdo ditë në hotele organizohen, festa dhe lojra të ndryshme ku fëmijë argëtohen me njëri-tjetrin, për t’ua hequr mendjen nga tërmeti.
Pas tërmetit të 26 nëntorit sipas shifrave jane rreth 3975 qytetarë të akomoduar në strukturat hoteliere për qarqet Lezhë dhe Durrës.
Gjithashtu, kryeministri Rama ka premtuar se “Viti i Ri s’duhet të gjejë asnjë rrënojë dhimbjeje të papastruar në Durrës e Thumanë dhe në vend të tyre, duhet të sjellë edhe disa parqe të kujtesës së kësaj tragjedie”.
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverise, Rama tregoi tre pikat ku do të ndërtohen lagjet e reja – ku sipas tij do jenë lagje model, miks dhe jo ‘geto’.