Ligji i ri i gjobave për biznesin akoma nuk ka hyrë në fuqi, edhe pse i miratuar që në datë 23 shtator, shkruan gazeta “Panorama”. Ndryshimet që rritnin gjobat deri në 10 milionë lekë për shitjet pa faturë në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, duhet të paktën të ishin botuar në Fletoren Zyrtare.
Burime nga Presidenca konfirmuan për gazetën miratimin në heshtje nga Presidenti të ndryshimeve të reja. Sipas ligjit, çdo ndryshim me efekte financiare duhet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Kohë kjo që bizneset të njihen me ndryshimet.
Ligji është miratuar në datë 23 shtator, në orët e mbrëmjes. Si rregull, ditën e nesërme, Kuvendi ia dërgon Presidentit ligjin e ri për ta dekretuar. Presidenti me Kushtetutë ka 20 ditë afat për të shqyrtuar ndryshimet. Brenda kësaj kohe, ai mund ta kthejë ligjin, duke e qujatur antikushtetues, ose mund të firmosë dekretimin e tij.
Një tjetër mënyrë është kalimi në heshtje. Në rast se pas afatit 20-ditor, Presidenti nuk shprehet pro ose kundër ligjit, atëherë ai quhet i dekretuar në heshtje. Pra, duhet që brenda datës 14 tetor, ligji ose të ishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend, ose të kishte kaluar për botim në Fletoren Zyrtare. Por, në Fletoren Zyrtare nuk ka akoma asnjë ligj të botuar. Pa botim, ligji nuk është i aplikueshëm. Deri në datë 27 tetor, edhe pse qeveria e Kryeministri trumbetojnë gjoba 10 milionëshe, ligj për këto gjoba nuk ka.
Por edhe sikur ligji të botohet nesër në Fletoren Zyrtare, sërish do të duhen të paktën 15 ditë të tjera që tatimorët të vendosin gjobat e reja. Çdo ndryshim në ligjet fiskale ka nevojë për këtë afat kohor që të bëhet i aplikueshëm. Duket se deri në mes të nëntorit, bizneset nuk do të gjobiten me shifra marramendëse. Por, biznesi as nuk do të përfitojë nga ndryshimet dhe amnistia deri në mes të nëntorit. Në ligj është parashikuar që bizneset, të cilat me vullnetin e tyre bëjnë vetëdeklarimin e mallit që kanë gjendje pa dokumente tatimore, me anë të një autofature brenda datës 31.12.2015, nuk do të zbatohen penalitetet e përcaktuara”. Pra, në rast se tatimet vijnë për kontroll, atëherë mund të gjobisin çdo biznes, edhe pse ky i fundit i beson qeverisë dhe bën autofaturim. Më keq akoma mund të dënohet edhe për falsifikim dokumentesh financiare.
PANORAMA