Këngëtarja me famë botërore Rita Ora i është përgjigjur apelit të kryebashkiakut Veliaj duke marrë përsipër rindërtimin nga e para të një banese të dëmtuar nga tërmeti në Zall-Herr.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri! Ditëlindjen time dhe ditët e fundit i kam kaluar duke menduar se cila është gjëja e duhur që duhet të bëj. Së bashku me Erion Veliajn, zgjodhëm një familje për të sponsorizuar rindërtimin e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti që ka prekur Shqipërinë. Erioni është një udhëheqës i vërtetë dhe e respektoj vërtet sugjerimin e tij për të udhëhequr me shembull”, thekson Rita Ora.
Teksa vlerëson kryebashkiakun Veliaj për lidershipin e treguar në këto momente, Rita Ora i ka bërë thirrje të gjithë fansave të saj që të kontribuojnë me fonde në linkun e qeverisë për dhurime. “Propozoj që kush të mundet, të gjejë një familje ose një mënyrë për të dhuruar e ndihmuar në rindërtimin e shtëpive të viktimave të kësaj katastrofe. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala dhe ne do ta ndjekim procesin në vijim, sepse ka kaq shumë familje që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë – ju lutemi klikoni linkun në blogun tim për të bërë të njëjtën gjë – lutjet e mia shkojnë për këdo që është prekur. Me shumë dashuri, Rita”, shkruan Rita Ora.