Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Java” në Rtsh, krah analistëve Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli.
Duka foli kryesisht për stadiumin e ri, emrin e tij dhe të tribunave, si edhe për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama, si dhe zëvendësin e tij në qeveri, Erion Braçen.
STADIUMI I RI – 1001 probleme ka çdo vepër, por kjo mendoj se ka edhe më shumë. Stadiumi ndikon në futboll, tek futbollistët dhe në të gjithë sportin. Projekti për të ndërtuar një stadium ka filluar prej kohësh. Nëse do bësh një stadium të tillë, pa para nga buxheti i shtetit, nuk mund ta bësh ndryshe pa biznese. Mund të jetë kullë, ose shtim në sipërfaqe. Qeveria nuk ka dhënë asnjë lek për këtë stadium, ndërsa Bashkia Tiranë ka fituar madje 3 milionë euro nga taksat.
EMRI I STADIUMIT – Të gjithë kanë të drejtë të kenë mendimet e veta. Ne menduam më mirë që duhet të ishte emër komercial, për më shumë të ardhura, dhe kemi përjetësuar 4 emra në tribuna. 3 futbollistë të njohur, dhe një emër si Qemal Stafa. Ne jemi menduar të zgjedhim një futbollist nga Tirana, një nga Partizani dhe një nga Dinamo. Unë mendoj më shumë do ndikojë në cilësinë e njerëzve që futen në stadium, më shumë se në cilësin e lojës. Për komoditetin e mediave, spektatorëve dhe atyre që do vijnë, është më cilësor, për të kaluar 3 orë të gëzueshme në një ambient të mirë organizuar dhe komod.
BIZNES – Ne do tentojmë të prodhojmë para, edhe gjatë ditëve të javës, jo vetëm ditën e ndeshjes. Më akuzojnë se mendoj vetëm për paratë, por pa para nuk bëhet ky futbolli. Është e pamundur të arrish objektiva pa atë. Do mundohemi që stadiumin ta kemi të hapur dhe të vizitueshëm gjithë javës. Kemi një muze, kemi dy ambiente tip kinemaje, që ata të shohin historinë e Tiranës dhe stadiumit. Do e përdorim për kampionatin kombëtar.
ÇMIMI PËR NJË NDESHJE – Kemi një problem, duke qenë se fusha nuk është e lidhur plotësisht. Nuk e di nëse do jetë gati. Po të jetë gati, do luhet derbi aty. Po bëjmë disa analiza, dhe presim përgjigje nëse do luhet derbi. Shifra për klubet nuk do jenë të pamundura, por që të fitojnë më shumë se në të kaluarën.
MIQËSI ME RAMËN, ARMIQËSI ME BRAÇEN – Kam marrëdhënie të mira me kryeministrat, por unë shaminë e bardhë ia hedh çdo partneri që mund të bashkëpunoj për të mirën e asaj që unë drejtoj. Kur shamia të kthehet mbrapsht, do reagosh. Është një personazh i botës shqiptare, që ju e njihni më mirë se unë. Tifoz me Partizanin? Nuk ka qenë vetëm tifoz i Partizanit, por edhe i zgjedhjeve në FSHF.
THIRRJET “RAMA IK” – Duka ik? Kanë thënë më shumë se kaq, edhe gjëra të tjera për mua. E kam marrë vesh 24 orë më vonë, se një nga organizatorët për “Rama ik” isha vetë unë. Më vjen keq për fenomenin. Nuk jam dakord që tifozët të bëjnë kore politike. “Duka ik” mund të thonë se janë të pakënaqur me FSHF, por Shqipëria është vend demokratik. Të gjithë turmat mund të organizojnë një tubim, por atë ditë e mendoja që të festonim. Atij mund t’i thonë në bulevard, por jo në ‘dasmën’ e futbollit.
g/kosovari