Deri në verën e 1944, Ushtria Nacional Çlirimtare nuk kishte ende uniformat e saj, apo gradat dhe shenjat dalluese të drejtuesve të çdo strukture ushtarake.
Dhe, në mesin e korrikut tëkëtij viti, pra pak para fundit të luftës, drejtuesit e nacionalçlirimtares deklaronin se dizenjimet e këtyre gradave dhe shenjave ishin bërë gati dhe se çdo strukturë duhej t’i kishte me çdo kusht.
Në një prej dosjeve të Shabit të Përgjithshëm ruhen pikërisht këto dizenjime të gradave dhe shenjave të ndryshme të hierarkisë që do të përdorte ushtria.
Një qarkore e shpërndarë nga Shtabi i Përgjithshëm, shpjegonte imtësisht se si ishin ndarë nga ana hierarkike gradat dhe shenjat dhe se si do t’i mbante secili përgjegjës.
Më poshtë e sjellim të plotë tekstin e kësaj qarkoreje, sikurse edhe skicimet e gradave dhe shenjave.
Komanda e përgjithshme e ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare
Nr.104
Zonë e lirë më 16 /7/1944
Qarkore
Gjithë shtabeve të ushtirsë Nacional Çlirimtare
Po ju dërgojmë modelet e gradave dhe të shenjave të ndryshme të gjerarqisë që do të përdoren në Ushtrinë Nacional-Çlirimtare.
Modeli Nr.1 përmban modele të gradave të ndryshme të gjerarqisë ushtarake (oficera).
Modeli nr.2 përmban shenja dalluese të ndryshme të gjerarqisë politike (komisarë dhe zëvendës komisarë).
Modeli nr.3 përmban shenjat e komandave të ndryshme. Oficerat përveç gradavet përkatëse, kur kanë edhe komandën e një reparti mbajnë edhe shenjën që tregon se çfarë reparti komandojnë dhe a janë komandanta apo nënkomandanta të këtij reparti.)
Modeli nr.4 tregon vendin se ku do të vendosen këto grada e shenja dhe gradat e nënoficerave dhe të tetarëve.
Gradat dhe shenjat janë vizatuar në madhësi naturale dhe me ngjyrën që duhet të kenë.
Oficerët e graduar duhet të vënë sa më parë gradat dhe shenjat e komandës.
Oficerave të cilëve nuk u ka dalë gradimi pse shtabet nuk kanë paraqitur biografitë ende dhe nënoficerat do të presin derisa tu dalë gradimi.
Komisarët dhe zëvendëskomisarët duhet të vënë shenjat pa pritur urdhër tjetër.
Vdekje fashizmit -Liri Popullit
Kryetari i shtabit madhor, General Major Spiro Moisiu.