Presidenti Ilir Meta ka refuzuar për të zgjedhur anëtarin e radhës së Gjykatës Kushtetuese, mes një liste të dytë me tre emra të renditur sipas meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Dita e sotme ishte afati i fundit, brenda të cilit kreu i shtetit mund të zgjidhte anëtarin e radhës së Gjykatës Kushtetuese, pas emërimit të Besnik Muçit, i cili nuk i ka mbyllur ende llogaritë me Vetingun. Me refuzimin e Presidentit Meta, pavarësisht pretendimeve të tij, ditën e nesërme në 8 nëntor, Arta Vorpsi zgjidhet automatikisht anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, duke e çuar në tre numrin e anëtarëve në këtë gjykatë.
Në datë 08.10.2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Ilir Metës dy lista me nga tre kandidatët, për dy vende vakante të shpallura nga Presidenti në Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht në datat 07.02.2018 dhe 04.03.2019. Lista e parë përbëhej nga Arta Vorpsi 89,624 pikë; Elsa Toska 85, 428 pikë dhe Besnik Muçi 81,928 pikë. Meta zgjodhi të fundit, Besnik Muçin, i cili nuk e ka kaluar Vetingun dhe që rrezikon të shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Lista e dytë përbëhej Arta Vorpsi 89,642 pikë; Fiona Papajorgji 88,785 pikë dhe Elsa Toska me 85, 428 pikë. Meta nuk ka emëruar njërin nga tre emrat e listës së dytë, me pretendimin se anëtari i radhës i Kushtetueses duhet të emërohet nga Kuvendi. Kuvendi ka afat deri në mesin e muajit nëntor, pasi KED i ka përcjellë Kuvendit listën për një tjetër vend vakant për në Kushtetueses, më vonë.
Ndërkaq, pika 4 e nenit 7/b të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i ndryshuar në vitin 2016, parashikon që “Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar”.
Ligji nuk i jep asnjë kompetencë Presidentit të bëjë interpretime apo letra për këtë çështje, por thjeshtë i cakton një fat, brenda të cilit duhet të bëjë emërimin, në të kundërt kandidati i parë i renditur në listë, zgjidhet automatikisht.
Në letrën e tij, drejtuar institucioneve, Meta hedh akuza në adresë të kreu të KED, i cili sipas Presidentit “Siç del qartë nga informacioni i përcjellë nga KED-ja, rezulton se Kryetari i KED-së, në të njëjtën datë 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi. Nuk rezulton që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr. 115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës”.
Kreu i KED është Ardian Dvorani, anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë që i shpëtoi Vetingut. Rastësi apo jo, Dvorani ka qenë pjesë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në janar të vitit 2012, i cili gjykoi dosjen në ngarkim të Ilir Metës. Ky i fundit akuzohej për korrupsion aktiv nga Prokuroria, e cila kërkonte dënimin me dy vjet burg. Ardian Dvorani ishte i vetmi anëtar i Kolegjit Penal, i cili votoi kundër pafajësisë së Metës.