Nga Artur Ajazi
Të paktën nga janari 2017 deri sot, në Partinë Demokratike kanë ndryshuar mbi 10 herë platforma e drejtimit politik, ku ndër më “pikantet” spikatin ankesat, kërkesat, alarmet, planet, paralajmërimet, afrimet, largimet, shantazhet, sulmet kërkesat, dhe në fund servilizmat.
Asnjëherë nuk është kuptuar qartazi nga faktori ndërkombëtar , synimi dhe qëllimi i ish-opozitës, edhe kur ajo ka qenë pjesë e takimeve dhe bisedimeve dypalëshe apo trepalëshe, asnjëherë ndërkombëtarët nuk kanë marrë nga ish-opozita, premtime reale dhe dakortësi serioze. Gjithmonë ata kanë dalë nga fjala, janë shmangur nga përgjegjësitë, kanë preferuar të prishin aleancat dhe anullojnë kontrata me leverdi politike dhe stradegjike për fatet e vendit.
Historia e mbi 29 viteve ka treguar se ish-opozita e sotme, që dukej sikur funksiononte si “subjekt politik” ka luajtur mbi interesat e shqiptarëve, ka hedhur “valle” mbi të ardhmen e kombit, duke marrë shpërblimin e duhur, mungesën e mbështetjes ndërkombëtare.
Ngjarjet e viteve 1996, 1997, 1998, apo dhe viteve më vonë, flasin qartë për mungesë serioziteti nga ish-drejtuesit apo dhe drejtuesit aktualë “sans-scrupules” të ish-opozitës. PD e sotme, është një konglomerat i veçantë në llojin e vet, dhe një grupim i rrezikshëm për ti besuar shtetin dhe pushtetin. Të paktën nga 1998 gjer sot, ndaj ish-opozitës aktuale ka patur vazhdimisht një tërheqje mbrapa, të krejt faktorit ndërkombëtar, duke patur parasysh mungesën e mbështetjes amerikane dhe së fundi edhe atë europiane.
Nuk mund të jesh mik i amerikanëve, kur thyen embargon, nuk mund të jesh mik i amerikanëve kur punon si hileqar pas shpinës së tyre, nuk mund të jesh mik i amerikanëve kur shkel të drejtat e njeriut, apo më keq akoma të drejtat e gazetarëve, kur i kthen strukturat e shtetit në celula partie për ti shërbyer interesave personale dhe familjare. Nuk mund të jesh mik i amerikanëve, kur futesh në çadër, jep ultimatume dhe bën thirrje për “mosbindje civile dhe dhunë ndaj institucioneve” dhe në fund bie në ujdi për poste ministrore.
Nuk mund të jesh mik i amerikanëve, kur thyen ligjin dhe pengon strukturat ligjzbatuese ta zbatojnë atë, nuk mund të jesh mik i amerikanëve kur i sulesh me molotovë dhe fjalorin më banal ambasadorëve, nuk mund të jesh mik i amerikanëve , kur u bën karshillëk institucioneve të drejtësisë, kur shpif dhe shan me libër shtëpie kundërshtarin politik, apo dhe kur çdo 6 muaj kërkon zgjedhje të parakohshme.
Nuk mund të jesh mik i amerikanëve , kur brënda partisë tënde nuk ke lirinë dhe demokracinë e duhur, nuk mund të jesh mik i amerikanëve, kur premton, ndryshon dhe mohon atë që ke deklaruar një ditë apo një vit më parë. Këto dhe shumë fakte të tjera, aktualisht e kanë konvertuar ish-opozitën e sotme, nga parti politike në grupim interesash, ku më “i vjetri” komandon si bajraktar delet e oborrit.
Për Shqipërinë e vogël, mbështetja ndërkombëtare (amerikane dhe europiane) natyrisht që ka rëndësi të trefishtë, stradegjike, politike dhe ekonomike. Askush në PD nuk e ka kuptuar kurrë rëndësinë e mbështetjes amerikane, për të qenë partnerë të denjë të tyre, dhe kjo më tepër nga padituria e lidershipit saj, që kurrë nuk po arrin të dalë mbi provincializmin ballkanik, ku parësore mbetet “pasuria” dhe jo karriera politike në shërbim të interesit kombëtar.