Sot u punësuan 114 infermierë dhe teknikë të shkencave mjekësore teknike nga konkursi i katërt “Infermierë për Shqipërinë”, në sistemin shëndetësor publik në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu priti 114 infermierët dhe teknikët e shkencave mjekësore teknike të punësuar përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”.
“Do të doja që t’ju uroja punë të mbarë të gjithëve ju, 114 infermierëve dhe profesionistë të shkencave teknike mjekësore të cilët sot bëheni pjesë e sistemit tonë shëndetësor në të gjithë vendin. Unë jam shumë e kënaqur që thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për aplikimin në 350 vendet e lira që në shpallëm përgjatë muajit Gusht iu përgjigjën plot 1750 infermierë dhe profesionistë të tjerë të shkencave teknike mjekësore”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se për herë të parë në këtë thirrje u mundësua testimi i informatizuar.
“Jam e kënaqur që arritëm të ndryshojmë edhe mënyrën e testimit. Nëpërmjet vendosjes së testimit të informatizuar, tashmë ne e kemi përmirësuar akoma më shumë mënyrën e testimit, duke krijuar një sistem i cili nuk të lë vend për gabime njerëzore dhe sigurisht rrit transparencën dhe besueshmërinë”, u shpreh në fjalën e saj Ministrja e Shëndetësisë.
Ajo theksoi gjatë takimit me infermierët e sapo punësuar, se punësimi I infermierëve do të vijojë, sipas renditjes së fituesve. Aktualisht në listën e fituesve të portalit “Infermierë për Shqipërinë” janë 2100 infermierë dhe teknikë të shkencave mjekësore teknike, të cilët presin dhe do të punësohen ditë pas dite në sistemin shëndetësor publik. Ministrja theksoi gjatë takimit me infermierët e rinj se për ta do të vijojë rritja profesionale nëpërmjet patronazhimit në qendrat shëndetësore apo spitalet ku ato punësohen dhe më pas me edukimin në vazhdim, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim.
g.kosovari