Këshilli i Ministrave ka miratuar pardje një projektligj të ri për burgjet, i cili pritet të depozitohet për shqyrtim dhe miratim në Parlament. Nisma përcakton në detaje të drejtat dhe trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim, organizimin e sistemit si dhe kompetencat e detyrat e organeve shtetërore kompetente. Përpos të tjerave, projektligji parashikon në mënyrë më të plotë aplikimin e regjimit të posaçëm për kategoritë e rrezikshme të të burgosurve, i quajtur ndryshe regjimi ’41-bis’, në kuadër të masave për goditjen e veprimit dhe të depërtimit të krimit në burgje. Nisma ligjore e qeverisë përcakton 24 kategori të të dënuarve apo të të burgosurve, të cilët në raste të veçanta do t’i nënshtrohen izolimit të ashpër, duke u pamundësuar çdo lloj kontakti me botën e jashtme. Më konkretisht, në projektligj janë parashikuar 23 vepra të rënda penale, të dënuarit për të cilat janë objekt për t’u izoluar. Gjithashtu, është shtuar edhe një kategori personash me rrezikshmëri të lartë që kanë lidhje me organizatat kriminale. Bëhet fjalë për të dënuarit si dhe për të paraburgosurit e dyshuar për kryerjen e veprave penale të vrasjes së dëshmitarëve, funksionarëve publikë dhe punonjësve të policisë.
Gjithashtu përfshihen të dënuarit për veprat penale me qëllime terroriste, të financimit të terrorizimit, të fshehjes së fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin si dhe të të gjitha veprave të tjera penale që lidhen me terrorizimin, të parashikuara në Kodin Penal. Janë përfshirë edhe personat e dënuar apo të dyshuar për krijimin, organizimin, drejtimin, pjesëmarrjen dhe financimi i bandës së armatosur si dhe për organizimin drejtimin e veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së drogës, trafikut të narkotikëve, kultivimit të bimëve narkotike si dhe për krijimin, organizimin ose drejtimin e organizatave kriminale. Regjimi i posaçëm zbatohet edhe ndaj të dënuarve ose të paraburgosurve të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale. Sipas draftit, kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit, por mund të zgjatet për periudha të tjera njëvjeçare sipas vlerësimit të rrezikshmërisë.
Si merret vendimi
Vendimi për vendosjen e të dënuarit ose të paraburgosurit në regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë merret nga ministri i Drejtësisë, mbi kërkesën e arsyetuar të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Për marrjen e këtij vendimi, ministri i Drejtësisë bazohet në konsultimin me ministrin e Brendshëm, në të dhënat/informacionet e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe organeve të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, sipas fushave të përgjegjësisë. Vendosja e regjimit të posaçëm bëhet për të parandaluar kontaktet me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë, konfliktet e mundshme me elementë të organizatave të tjera, ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë, të cilët i përkasin së njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë dhe për të ndaluar komunikimin apo shkëmbimin e sendeve ndërmjet të dënuarve apo të paraburgosurve që i përkasin grupimeve të ndryshme.
Si bëhet izolimi
Të dënuarve që do të izolohet u lejohet vetëm një takim familjar në muaj. Të dënuarit ose të paraburgosurit, i cili nuk kryen takime familjare, i lejohet kryerja e një bisede telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila regjistrohet. Ndalohet përdorimi i vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund të marrë i dënuari ose i paraburgosuri nga jashtë. Reduktohet qëndrimi në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë.
24 kategori
Nisma ligjore e qeverisë përcakton 24 kategori të të dënuarve apo të të burgosurve, të cilët në raste të veçanta do t’i nënshtrohen izolimit të ashpër, duke u pamundësuar çdo lloj kontakti me botën e jashtme.
’41-bis
Përpos të tjerave, projektligji parashikon në mënyrë më të plotë aplikimin e regjimit të posaçëm për kategoritë e rrezikshme të të burgosurve, i quajtur ndryshe regjimi ’41-bis, në kuadër të masave për goditjen e veprimit dhe të depërtimit të krimit në burgje.
Të dënuarit dhe të paraburgosurit që do të izolohen sipas ligjit
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse (neni 79, shkronja ‘ç’)
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së funksionarëve publikë (neni 79/a)
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit (neni 79/b).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për vepra penale me qëllime terroriste (neni 230)
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të financimit të terrorizimit, ku përfshihen: Rrëmbimi i avionëve, veprat kundër personit, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë, kryerjen e akteve të dhunës kundër një personi në bordin e një avioni në fluturim, shkatërrimin e një avioni në funksionim, shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve të fluturimit apo të pajisjeve të lundrimit detar, përhapjen e informacioneve që dihet se janë të pavërteta, duke rrezikuar sigurinë e një avioni në fluturim, vrasjen ose rrëmbimin e një personi të mbrojtur ndërkombëtarisht, pengmarrjen ose rrëmbimin e personit, vjedhjen e materialeve bërthamore, prodhimin, mbajtjen, blerjen, transportin apo tregtimin e lëndëve plasëse, shkatërrimin e rëndë dhe në përmasa të mëdha të pronës publike, shkaktimin e ndërprerjes së furnizimit me ujë, energji elektrike ose çdo burim tjetër të rëndësishëm etj (neni 230/a i Kodit Penal).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të fshehjes së fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin. (neni 230/b).
Personat që ushtrojnë funksione publike ose që janë në ushtrim të detyrës, të cilët vënë në dijeni dhe u japin informacione personave, për të dhënat për verifikimin ose hetimin e fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masa kundër financimit të terrorizmit. (neni 230/c).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për dhënin e fondeve dhe pasurive personave të shpallur si financues të terrorizimit. (Neni 230/ç).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për rekrutimin e personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit. (Neni 231).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për stërvitje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për nxitje thirrje publike dhe propagande për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232/a).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për prodhim të armëve luftarake (neni 234).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste (neni 234/a).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin, drejtimin, pjesëmarrjen dhe financimi i bandës së armatosur (neni 234/b).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin drejtimin e veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së drogës (neni 283, paragrafi 3).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin ose financimin e trafikut të narkotikëve (neni 283/a, paragrafi 3).
Të dënuarit për organizim, drejtim apo financim të kultivimit të bimëve narkotike (neni 284, paragrafi 3).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e organizatave kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve (neni 284/a).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, fabrikimit, nxjerrjes, rafinimit dhe përgatitjes pa licencë të lëndëve narkotike. (neni 284/c, paragrafi 3).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, importimit, eksportimit, tranzitimit, tregtimit dhe mbajtjes, në i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse. (Neni 284/ç paragrafi 3).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin ose drejtimin e organizatave kriminale (neni 333).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin e grupit të strukturuar kriminal (neni 333/a).
Të dënuarit dhe të paraburgosurit për kryerjen e veprave penale si pjesë të organizatave kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal (neni 334).
Regjimi i posaçëm zbatohet edhe ndaj të dënuarve ose të paraburgosurve të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale.
Shqiptarja.com
/a.r