Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për integrimin transatlantik dhe aspiratat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, njoftoi sot Departamenti amerikan i Shtetit.
Deklarata është bërë nga Morgan Ortagus, zëdhënësi i DASH.
”Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk i njohu përpjekjet shumë të forta të reformës së secilit vend për të rënë dakord për të hapur negociatat e pranimit në këtë moment.
Një vendim pozitiv do të rikonfirmonte besueshmërinë e rrugës së tyre në BE dhe do të ishte edhe një nxitje e fortë kundër aktorëve të jashtëm keqdashës, që kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne vlerësojmë faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë, as Maqedonisë Veriore dhe që as BE-ja nuk vendosi kushte të reja për hapjen e negociatave të pranimit.
Shpresojmë që Këshilli Europian të arrijë një konsensus mbi një vendim pozitiv për të dy vendet përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor majin e ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndërkohë që ato vazhdojnë punën e tyre për të forcuar sundimin e ligjit, përpjekjet e mëtejshme kundër korrupsionit, zhvillimin e ekonomive të tyre dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ne i inkurajojmë të dy vendet të qëndrojnë të palëkundura në ndërtimin e një shoqërie transparente, të bazuar në rregulla demokratike, të përgjegjshme për nevojat e qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerët europianë drejt qëllimeve të përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon deklarata e Departamentit amerikan te Shtetit.
/a.r