Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn deklaroi sot për agjencinë italiane të lajmeve ANSA se hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian me Maqedoninë e Veriut dhe refuzimi i kandidaturës së Shqipërisë “do të ishte një gabim i madh politik”.
“Unë do të bëj gjithçka për ta shmangur këtë”, u shpreh Komisioneri Europian gjatë një prononcimi për ANSA-n dhe një grup mediash të tjera ndërkombëtare vetëm një javë përpara samitit të liderëve të BE-së më 17 dhe 18 tetor.
“Vendet anëtare të BE-së shpesh vendosin për arsye të lidhura ngushtësisht me politikën e tyre të brendshme, por disa sinjale më bëjnë optimist”, shtoi Hahn, duke theksuar se ai ka konstatuar gatishmëri për të kërkuar një zgjidhje nga Franca.
“Ka ende kohë për arritjen e një marrëveshjeje dhe kjo është njëkohësisht çështje përgjegjësie dhe besimi edhe për BE-në”, theksoi Hahn.
/a.r