Pyetja sot në Kosovë është e thjeshtë: Kush do ta marrë përgjegjësinë për dhunën, Thaçi apo Ramushi!? Ndërsa, qytetarët po presin me ankth orën 16.00 të së premtes të fillimit të seancës retorika po vazhdon të ashpërsohet, në vend të uljes së tensioneve.
Hashim Thaçi, që tashmë po mundohet ta mbështes publikisht shefin e tij të qeverisë, Isa Mustafën gjithnjë e më shumë, ka hedhur benzinë në situatën e tensionuar për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit. Ai madje sjelljen e opozitës e ka krahasuar me dhunën e ‘milicisë serbe’ gjatë okupimit. Se sa qëndron një tezë e tillë, është vështirë të besohet, por nuk është as politike, as diplomatike dhe as në kulturën e drejtuesve të shtetit, që të ngatërrojnë kohët, sistemet, dhe rolet.
Por, jo pak kërcënues ishte edhe ish kryeministri tjetër Ramush Haradinaj, në një debat televiziv, i cili detaj thuajse nuk u kap nga mediat. Në pyetjen se nëse do të ketë përdorim dhune, në kuptimin e arrestimit të deputetëve, ai tha se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe opozita. Një përgjigje më rebeluese për situatën që nuk ka më se ku të shkojë.