Shqipëria i bashkohet për herë të parë Ministerialit të Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji, i mbajtur në Lituani, nën kujdesin e Sekretarit Amerikan për Energjinë, Rick Perry. Në këtë Ministerial, ku merrnin pjesë 24 shtete të Europës Qendrore dhe Lindore, ishte e pranishme edhe Ditte Juul Jørgensen, Drejtoresha e Përgjithshme e Energjisë pranë Komisionit Europian, ndërkohë që Qeveria Shqiptare përfaqësohej nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Siguria energjetike, diversifikimi i burimeve të energjisë si dhe rritja e bashkëpunimit mes vendeve, ishin në qendër të diskutimeve që u mbajtën gjatë këtij Ministeriali.
Duke ju referuar vendeve pjesëmarrëse si dhe tryezave të forumeve të zhvilluara gjatë Ministerialit, Belinda Balluku bëri të ditur se tashmë kërkohet që gazi dhe burimet e tjera të rinovueshme të jenë në qendër të prodhimit të energjisë.
“Shqipëria u ftua për herë të parë që të jetë pjesë e Ministrerialit të Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji. Nën kujdesin e sekretarit të shtetit Rick Perry, u zhvillua në Lituani një nga takimet më të rëndësishme të ministrave përsa i përket sigurisë energjetike, diversifikimit të burimeve dhe sigurisht bashkëpunimit në të gjitha këto zona kur kërkohet sot që gazi natyror, ai I lengshem LNG, por edhe burimet e rinovueshme të jenë në qendër të prodhimit të energjisë”, u shpreh Balluku.
Edhe pse Shqipëria është një vend i cili prodhon 100 përqind energji të rinovueshme, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vuri theksin tek rëndësia e krijimit të qëndrueshmërisë së prodhimit të energjisë për të plotësuar nevojat e tregut pa ju drejtuar importit në të ardhmen.
“Shqipëria, ashtu siç çdo herë, prezantoi strategjinë tonë të diversifikimit të burimeve të energjisë së rinovueshme. Ne jemi një nga vendet kampion që sot prodhojmë 100 përqind energji të rinovueshme, megjithatë ajo çfarë është e rëndësishme, ne sot po krijojmë qëndrueshmërinë e prodhimit të energjisë për të plotësuar nevojat e tregut pa ju drejtuar importit në të ardhmen. Në panelet teknike të zhvilluara gjatë Ministreialit, u prekën shumë çështje të rëndësishme si siguria energjetike ashtu edhe vazhdimësia e bashkëpunimit midis të gjitha vendeve sigurisht nën partneritetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, nënvizoi ministrja Belinda Balluku.
Gjatë Ministerialit, ministrja Balluku pati një takim të veçantë me nënsekretarët e Departamentit Amerikan të Energjisë, Steven Winberg dhe Theodore Garrish, ku u diskutua për projekte konkrete në funksion të zhvillimit të sektorit energjetik dhe diversifikimit të burimeve të energjisë që prodhon vendi ynë.
Ministeriali i Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji u cilësua nga të gjithë vendet pjesëmarrëse si një mundësi më shumë për të thelluar bashkëpunimin mes të gjitha vendeve sa i takon sektorit energjetik. /l.m