Vizitorët kanë treguar një interes të madh për “Smile Safari”, që është muzeu më i madh i Instagramit në Europë dhe i pari në Belgjikë.
Muzeu, i hapur në qendrën e panaireve Tour & Taxis në Bruksel, do të presë vizitorët deri në fund të muajit nëntor duke ofruar momente argëtuese për të gjithë vizitorët që kanë telefona të mençur.
Brenda tij ndodhen dhoma që janë rregulluar në mënyra të ndryshme për përdoruesit e Instagramit të cilët dëshirojnë të pozojnë në dhomat me drita, duke bërë sërf mbi copën e picës apo duke dalë nga torta e ditëlindjes.
Ndërsa për vizitorë që duan të veshin kostume të stileve të ndryshme në hyrje të “Smile Safari” ndodhen edhe kabina të posaçme.
Organizatori i aktivitetit, Hannes Coudenys tha se kjo ide lindi derisa shëtiste në SHBA dhe vendosi të hapë një të ngjashëm edhe në Belgjikë. Ndërkohë vizitorët e kanë cilësuar muzeun si “Parajsa e Instagramit”.
Vlerësohet se në të gjithë botën ka rreth 3.5 miliardë përdorues të mediave sociale. Kjo shifër është e barabartë me rreth 45 për qind të popullsisë së botës.
/a.r