Në episodin e radhës, e ftuar në emisionin “Diaspora” është Rudina Jasini, doktore shkencash në fushën e jurisprudencës dhe avokate e së drejtës ndërkombëtare penale, e cila dhënë një kontribut në drejtësinë penale ndërkombëtare.
Rudina Jasini ka përfunduar studimet për drejtësi pranë Universitetit të Tiranës, dhe më pas ka studiuar si Fulbright scholar në fushën e së drejtës ndërkombëtare në Georgetoën Laë School.
Në përfundim të studimeve në SHBA, është vendosur në Hagë ku ka punuar fillimisht si stazhiere dhe më pas si avokate në çështjen e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
E pyetur në lidhje me reformën në drejtësi në Shqipëri, si dhe procesin e vettingut, është shprehur: “Një nga problemet që unë mund të identifikoj është, se procesi i vettingut indentifikon individin apo gjyqtarin që shkon ne proces dhe menjëherë bëhet lajm mediatik”.
“Mendoj që koncepti i privatësisë është një parim shumë i rëndësishëm. Janë shumë filtra për të kuptuar nëse një person vërtetë plotëson kriteret dhe kushtet për procesin e vetingut, por edhe në rastet kur një individ nuk kualifikohet, kjo nuk do të thotë që domosdoshmërisht ai të vendoset në shënjestrën mediatike siç e shikoj shpesh në Shqipëri” – tha Jasini.
Sipas saj, problemi tjetër është largimi i një grupi të caktuar individësh që janë gjyqtarë, dhe zëvendësimi i tyre kërkon një reflektim më të gjerë, për të kuptuar nëse individët që zgjidhen vërtetë kanë eksperiencën e duhur, vitet e kualifikimit për të ushtruar një nga profesionet më të rëndësishme siç është ai i gjyqtarit”
Në përfundim të procesit të parë penal të kësaj çështjeje në Hagë, Rudina Jasini është zhvendosur në Angli, ku ka vazhduar studimet fillimisht për një master për drejtësi penale dhe kriminologji, dhe më pas doktoraturën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale pranë Universitetit të Oksfordit. Gjatë doktoraturës, ka zhvilluar punë kërkimore mbi viktimat e luftës dhe genocidit, kryesisht në Kamboxhia. Një nga pasionet e saja është udhëtimi, ajo ka vizituar 93 shtete, si dhe praktikon sporte të ndryshme./l.m