Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu drejtua këtë të martë me një letër publike bankave të nivelit të dytë, ku kërkoi prej tyre të tregojnë kujdes për financimet ndaj Partneritetit Publik Privat.
Të ftuarit në emisionin “Real Story” në News 24 diskutuan për këtë çështje, ndërsa eksperti Adrian Civici tha se partitë politike gjithmonë kanë pasur tendenca për të ndërhyrë në sektorin bankar. Sipas tij, bankat gjithmonë janë të kujdesshme kur vjen puna e lëvrimit të kredive ndaj subjekteve të ndryshme.
“Është një shqetësim i ligjshëm i shprehur në formë politike. Edhe Banka Botërore ka shembuj të mirë, por edhe shembuj të këqij për PPP-të. Sistemi bankar është shumë i kujdesshëm kur jep një kredi. Kur jep një kredi, është kolaterali apo garancia ajo që banka merr parasysh. Politika e shqiptare e ka bërë në 30 vjet, që politika mendon se ajo ka shkopin magjik dhe vendos të ndërhyjë në çdo institucion, përfshirë edhe sektorin bankar. Në shumicën e rasteve ai që merr vendimin është sistemi gjyqësor. Shqetësimi që kam është: ku fillon dhe ku mbaron influenca e forcave politike në raport me ligjin”-tha ai. /l.m