Në seancën e sotme plenare, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndërsa bëri edhe një herë një bilanc të dëmeve që shkaktoi tërmeti i 21 shtatorit, tha se sfida më e vështirë është rikuperimi i dëmeve.
Xhaçka theksoi se është çelur një fond i posaçëm për rikuperimin çdo ndërtese të dëmtuar nga lëkundjet, ndërsa shtoi se po kontribuojnë edhe shumë biznese e individë, apo edhe donatorë të huaj.
Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes:
Diçka më shumë se një javë më parë vendi ynë u godit nga një ngjarje sizmike e përmasave mjaft të mëdha. Një tërmet i magnitudës 5.8 në shkallën Rihter që tronditi jo pak qytetarët sidomos në qarqet e Tiranës dhe Durrësit që ishin edhe qarqet më të prekura, edhe pse lëkundjes e tokës u ndjenë kudo në territorin e vendit dhe në vendet fqinje.
Faktet kryesore për këtë ngjarje besoj tashmë i dini të gjithë ju dhe qytetarët sepse kemi komunikuar vazhdimisht. Por dua të bëj një përmbledhje të shkurtër të asaj që ndodhi, por edhe të asaj që jemi duke bërë aktualisht për të përballuar pasojat.
Tërmeti i datës 21 shtator ishte tërmeti më i fortë që ka përjetuar vendi ynë në dekadat e fundit.
Dëmet e shkaktuara janë të shumta, por besoj që kemi qenë me shumë fat, që nuk ka pasur asnjë jetë të humbur. Madje, nuk ka pasur asnjë të plagosur rëndë. Janë në total 154 persona të lënduar, thuajse në çdo rast me dëmtime fare të lehta, të shkaktuara më tepër nga paniku i momenteve pas goditjes, kur qytetarët përpiqeshin të largoheshin nga banesat e tyre. Them me fat, sepse nga tërmete të asaj magnitude mund të presësh më të keqen, siç ka treguar edhe historia e jo fort e largët e vendeve fqinje me ne. Dhe asnjë dëmtim, sado i madh, nuk mund të barazohet me qoftë një jetë të vetme të humbur.
Por nga ana tjetër, dëmet materiale janë të konsiderueshme. Nga të dhënat që disponojmë deri tani janë rreth qindra banesa, të cilat kanë pësuar dëmtime që i bëjnë të pabanueshme.
Bëhet fjalë në thuajse çdo rast për banesa të vjetra, shtesa ose banesa të ndërtuara janë çdo kriteri teknik të sigurisë.
Janë po ashtu 3 pallate që kanë pësuar dëmtime që i bëjnë të pabanueshme, por janë edhe shumë banesa të tjera, disa shkolla apo një numër objektesh të tjera me funksionalitete të ndryshme, që kanë pësuar dëmtime të shkallëve të ndryshme qe shkojnë nga plasaritje të thjeshta e deri në dëmtime më serioze, por të rikuperueshme të strukturës.
Pra, mjafton të shohësh shifrat që kemi deklaruar edhe më herët, për të kuptuar se me çfarë ngjarje sizmike serioze jemi përballur. Ama, jam krenare që reagimi i shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj ngjarje, që në çastet e para, ka qenë i një niveli tjetër nga çdo situatë emergjence me të cilën jemi përballur në të shkuarën qoftë në terma kohorë, qoftë në terma koordinimi, qoftë në terma të efikasitetit të reagimit.
Me pak fjalë, si rrallëherë më parë, i gjithë shteti ka qenë në këmbë që në çastet e para pas tërmetit për të përballuar këtë ngjarje të rëndë.
Kështu, vetëm pak orë pas goditjes së tërmetit u mblodhën menjëherë, nën drejtimin e Drejtorisë së Emergjencave Civile, komisionet e planifikimit dhe përballimit të emergjencave civile në nivel bashkie dhe prefekture, ku u përcaktuan masat emergjente për përballimin e situatës.
Ekipe të përforcuara mjekësh dhe punonjësish të shëndetësisë kanë qenë në gatishmëri që në momentet e para për t’ju ardhur në ndihmë të lënduarve. Dhe jemi dëshmitarë sesi çdo person i lënduar është asistuar e mjekuar brenda pak orëve, për të mos thënë, që në orën e parë pas goditjes kryesore sizmike.
Në gatishmëri të plotë gjatë të gjithë kësaj kohe kanë qenë edhe efektivët e Policisë së Shtetit, të Policive Bashkiake, stafet e emergjencave pranë prefekturave apo njësive vendore dhe Forcat e Armatosura.
Që natën e datës 21, pra pak orë pas tërmetit, në Tiranë dhe Durrës u ngritën 9 qendra pritje, në strehat sociale, apo në çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura, për ata qytetarë që nuk mund të qëndronin në banesat e tyre për shkak të dëmtimit të tyre ose të pasigurisë së qëndrimit në këto banesa. Apo edhe për shkak të frikës që sigurisht ka qenë e madhe edhe për shkak të goditjeve që pasuan tërmetin e orës 16.05.
E thashë dhe pak më lart që kemi qenë më fat sepse një termet i këtyre përmasave mund të shkaktojë dëme e humbje shumë herë më të mëdha ekonomike e sigurisht edhe në jetë njerëzish. Por reagimi i shtetit ndaj tërmetit nuk i la asgjë në dorë fatit.
Është reaguar në mënyrën më urgjente, më efikase të mundshme, duke mobilizuar madje shumë më tepër resurse e kapacitete sesa ishin në fund të nevojshme.
Por në çdo moment të atyre ditëve prioriteti ishte që të ndihmohej çdo qytetar, kudo, prandaj më mirë një mobilizim masiv, sesa një mobilizim modest si pasojë e të cilit do të mbetej qoftë edhe një qytetar apo një familje e paasistuar.
Reagimi ndaj tërmetit të datës 21 ishte në fakt edhe një testim i mekanizmit të ri të Mbrojtjes Civile që u miratua nga Kuvendi në datë 9 korrik. Edhe pse ky mekanizëm është sot në fazën e vetë embrionale – ende nuk janë miratuar aktet nënligjore dhe nuk kanë marrë jetë strukturat e reja që ai parashikon e aq më pak hartimi i vlerësimeve të riskut e strategjive për menaxhimin e riskut në nivel vendor e kombëtar – pra, edhe pse është vetëm fillimi dhe ka akoma shumë punë për të bërë derisa mekanizmi i mbrojtjes civile të jetë plotësisht funksional, gjithçka ka funksionuar në një mënyrë shumë më efikase sesa më parë.
Nuk ka asnjë dyshim, që potenciali i këtij mekanizmi të ri është i jashtëzakonshëm dhe na provon që kemi bërë gjënë e duhur duke adoptuar një model të mbrojtjes civile, siç na është këshilluar edhe nga aleatët tanë amerikanë dhe europianë.
Dhe unë besoj që ngjarja i fundit do të shërbejë si një nxitje më tepër për të përshpejtuar punën, deri sa kolaudimin e plotë të këtij mekanizmi, i cili jo vetëm që do të ndihmojë për t’i bërë qytetarët shqiptarë më të sigurt, por do të na lejojë edhe anëtarësimin në Qendrën Evropiane për Koordinimin e Përgjigjes ndaj Emergjencave.
Çka do të thotë, akses më të shpejtë tek ndihma europiane në rast emergjencash, por edhe mundësi që Shqipëria të asistojë me burimet e saj në rast nevojash nga vende të tjera anëtare.
Por, sado dramatik tërmeti i datës 21, sfida e vërtetë për të gjithë ne filloi pas tërmetit. Reagimi i emergjencës ishte vetëm fillimi. Rikuperimi i dëmeve, është sfida më e vështirë, sepse dëmet janë të mëdha dhe çdo vend, sado i zhvilluar apo i pasur, e ka të vështirë që të përballojë një sasi të tillë dëmesh në një kohë aq të shkurtër, sa ajo që kemi në dispozicion dhe sa presin njerëzit nga ne.
Një familje e mbetur pa strehë, që strehohet përkohësisht nga shteti, natyrisht që ka mirëkuptim dhe durim, por ky durim ka një limit e ky mirëkuptim ka një afat që është shumë më i shkurtër, sesa kapacitetet tona për të rikuperuar në të njëjtën kohë banesat e rrënuara.
Sigurisht që kemi mësuar shumë nga mënyra si u përballuan pasojat e tërmetit në Korçe, por askush nuk duhet të mendojë, meqë tërmeti kaloi, që kjo do të jetë një sfidë e lehtë. Nga ana tjetër, unë besoj që qytetarët shqiptarë sot e dinë nga eksperienca, që i gjithë shteti është ngritur në këmbë për t’ju gjendur në ditën e tyre të vështirë.
Ky angazhim, ky mobilizim post tërmet ka filluar në një kohe rekord dhe vazhdon ende sot.
Evidentimi i plotë i dëmeve, skanimi i situatës dhe puna për rehabilitimin e tyre ka ecur me një ritëm e intensitet jashtëzakonisht të shpejtë krahasuar me çdo emergjencë në të kaluarën, me të cilën ishte përballur Shqipëria në vitet apo dekadat e fundit.
Që në datë 22 shtator, pra pa kaluar as 24 orë, falë punës së shtabeve të emergjencës, policisë së shtetit, forcave të armatosura, ujësjellës kanalizimeve, OSHEE dhe punës shumë të mirë të Ministrisë së Infrastrukurës dhe Energjisë, çdo rrugë në Shqipëri ishte e aksesueshme, furnizimi me ujë dhe energji ishte rikthyer për të gjithë zonat, u verifikua dhe u hap çdo shkollë, kopësht e çerdhe me përjashtim të një numri shumë të vogël shkollash ku po kryhen punimet sot që flasim për t’i hapur brenda pak ditësh. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me qendrat shëndetësore në të gjithë zonat e prekura.
Forcat e Policisë, policive bashkiake, stafet e emergjencës, mjekët dhe forcat e armatosura, çdo kapacitet vendor e qendror që nevojitet për përballimin e kësaj situate, ka qenë në gjendje gatishmërie çdo ditë, për të adresuar çdo situatë ku është dashur ndërhyrja e tyre.
Jo vetëm kaq – dhe këtu përfitoj nga rasti t\i falënderoj – edhe kolegët deputetë, ministra, zëvendësministra dhe shumë drejtues të lartë të të gjitha niveleve, që janë angazhuar personalisht, pa orar e pa ditë pushimi, në funksion të përballimit të situatës dhe mbështetjes të qytetarëve.
Duke ju gjendur pranë, por duke kontribuar edhe me mjete, financa, e të mira materiale, për familjet më të prekura e në më shumë vështirësi. Dua po ashtu të falënderoj edhe kolegët e Mbrojtjes Civile Europiane, të cilët, edhe pse Shqipëria nuk është e anëtarësuar, sërish na kanë ardhur në ndihmë qoftë me pajisje, qoftë me ekspertizën e tyre.
Këto ditë kanë qenë po ashtu ditë të një solidariteti të jashtëzakonshëm sepse punës sonë i janë bashkuar edhe shumë biznese e individë, që kanë kontribuar përmes ndihmave, përmes angazhimit të eksperteve në fushën e inxhinierisë dhe urbanistikës për të bërë vlerësimin e dëmeve, dhe për të ndihmuar edhe me fazën e rikuperimit të tyre
Lajmi i mirë është që për rikuperimin dhe rindërtimin e çdo banese të prekur është çelur tashmë një fond i posaçëm, ku po kontribuojnë përveç qeverisë dhe institucioneve, edhe shumë biznese e individë apo edhe donatorë të huaj, të cilët janë angazhuar për dhënien e fondeve të cilat sot nuk mund të specifikohen ende, për shkak se procesi është në fillimet e tij. Por duke parë ecurinë e mbledhjes së fondeve jam shumë optimiste që ashtu siç vepruam në Korçë, edhe në Tiranë e Durrës do të arrijmë të rikuperojmë çdo dëm, t’ju rikthejmë qytetarëve banesat.
Ndërkohë që për ata qytetarë, të cilët duke mirëkuptuar përmasat e sfidës që shteti ka përpara, kanë shprehur gatishmërinë për t’i rindërtuar vetë shtëpitë e tyre, po merren masa për thjeshtimin e procedurave për lejet e ndërtimit.
Besoj që mënyra sesi kanë reaguar institucionet e sesi i gjithë shteti u ngrit në këmbë për të përballuar emergjencën e tërmetit të datës 21 ishte treguesi më i qartë se tashmë siguria e qytetarëve garantohet në një mënyrë shumë më efikase e më të konsoliduar sesa më parë.