Nga Lindita Çela/
Afërdita Kola, 52 vjeç, u trajtua butë nga sistemi i drejtësisë. Pasi u mbajt e ndaluar për 72 orë në tetor të vitit 2014, e arrestuar për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike, ajo u dënua me 18 muaj heqje lirie në shërbimin e provës nga gjykata e Tiranës në prill të këtij viti, pasi gjykatësi mori parasysh gjendjen e vështirë sociale të saj.
Megjithatë, ajo nuk pati të njëjtin fat me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, i cili me anë të faturave abuzive aforfe i faturoi energji që ajo kurrë nuk kishte konsumuar, i preu energjinë elektrike, e burgosi dhe prej gati një viti e ka lënë familjen e saj pa energji elektrike.
Afërdita thotë se ndërpreu pagesën e energjisë elektrike në mars të vitit 2009, kur i erdhi një faturë afrofe me vlerë rreth 9 mijë lekë për të cilën nuk kishte para për ta shlyer. Pastaj i erdhën fatura të tjera me vlerë të përafërt deri sa iu krijua një debi me vlerë rreth 1 milionë lekë të rinj. Me të ardhura të pakta në nivelin e dhjetë mijë lekëve në muaj të siguruara nga puna e dorës që bën në shtëpi, ajo nuk qe në gjendje të paguante faturat afrofe.
Por ajo u rikthye në paguese të rregullt pas vitit 2010 kur faturat afrofe u ndaluan dhe faturat mujore filluan të reflektojnë sërish konsumin real të familjes së saj, i cili varion nga 1 mijë në 2 mijë lekë. Pavarësisht kësaj, OSHEE ia ndërpreu dritat Afërditës për shkak të debisë së papaguar të viteve 2007-2009.
Në tetor 2014, qeveria shqiptare nisi një fushatë masive kundër vjedhjes së dritave duke arrestuar disa mijëra vetë si dhe duke shkëputur furnizimin për konsumatorët me fatura të papaguara.
“Kur filloi dhe aksioni i qeverisë për energjinë erdhën dhe na prenë drita. Askush nuk të dëgjonte pse rezultonim debitor. Deri para këtyre faturave afrove unë dhe fëmijëve u kurseja bukën dhe dritat i paguaja, por kur erdhën faturat me 1 milionë lekë (të vjetra) çfarë mund të bëja,” thotë Afërdita.
Pasi OSHEE ndërpreu furnizimin, Afërdita u detyrua të lidhte llambën e ndriçimit të dhomës së ndenjes me rrjetin e komshiut, pas miratimit të këtij të fundit. Por pak ditë më vonë policia e arrestoi atë nën akuzën e rilidhjes së energjisë elektrike pa autorizim. Ajo u mbajt në paraburgim për 72 orë para se gjykata të merrte parasysh faktin se ajo është një nënë me tre fëmijë, e cila jeton në kushte të vështira në një ndërtesë të improvizuar në periferi të Tiranës.
Në prill të këtij viti, gjykata vendosi dënimin e saj me 18 muaj heqje lirie. Gjendja vulnerabël e Afërdita Kolës ka bindur gjykatën që ndaj saj të vendosë masën e dënimit alternativ, atë të shërbimit të provës. Asaj i duhet të paraqitet një herë në javë në zyrën e Shërbimit të Provës si dhe të mos dalë nga shtëpia për arsye tjetër.
Mijëra të dënuar
Fatura të CEZ/OSHEE
Por rasti i Afërditës nuk është i izoluar. Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur për BIRN pas një kërkese për të drejtën e informimit se në periudhën shtator 2014 – qershor 2015 2,643 shqiptarë janë vendosur nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike sipas nenit 137 të Kodit Penal.
Prokurorët kanë kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 536 nga këto raste, duke u kritikuar nga disa avokatë të të drejtave të njeriut për abuzim me masën e sigurisë, për shkak se kjo masë duhet të kërkohet vetëm në rastet kur i akuzuari përbën rrezik për arratisje.
Për një numër të konsiderueshëm personash, të cilët i janë referuar prokurorisë nga policia dhe OSHEE, është vendosur Pushimi i Procedimit apo Pezullimi i Procedimit, gjë që sugjeron se prokuroria nuk i ka konsideruar si të vlefshme dokumentet e referuara nga policia dhe OSHEE.
Prokuroria bën gjithashtu të ditur se për periudhën shtator 2014 – qershor 2015, në gjykatat shqiptare janë shpallur fajtorë 1,629 vetë. Prokuroria e Përgjithshme tha se sistemi i saj statistikor nuk është në gjendje të nxjerrë masën mesatare të dënimit por tha se një pjesë janë dënuar me “masën minimale të dënimit dhe një pjesë me masën mesatare”, duke theksuar se nuk ka pasur dënime me masën maksimale. Vjedhja e energjisë elektrike dënohet sipas kodit penal me 1 deri në 5 vjet burg.
Ndërkohë, disa qindra shqiptarë rezultojnë aktualisht të shpallur persona në kërkim për këtë vepër penale.
Vlerësohet se në Shqipëri janë rreth 60 mijë familje, (8 për qind e popullsisë së vendit), të cilat janë në pamundësi financiare për të paguar faturën e energjisë elektrike, për shkak të papunësisë si dhe ndihmës ekonomike në nivele të papërfillshme që ofrohet nga shteti për familjet e varfra. Por vështirësitë ekonomike, të shoqëruara me borxhet e prapambetura, kanë zhytur një numër familjesh në errësirë, duke i kthyer në kushtet e jetesës së epokës para elektrifikimit të Shqipërisë.
Pa drita, OSHEE shkel vendimin e ERE
Matësi i energjisë elektrike është funksional në shtëpinë e Afërditës, por ajo nuk ka drita. Foto: Lindita Çela/BIRN
Por ndërsa gjykata u tregua e butë me Afërditën, ajo u përball me kalvar të ri për rilidhjen e energjisë elektrike. Duke qenë se ajo nuk është në gjendje të shlyejë debitë e vjetra, OSHEE nuk pranon të rilidhë dritat dhe rrjedhimisht, Afërdita dhe fëmijët e saj kanë një vit që jetojnë pa energji elektrike në shtëpi.
Afërdita u përpoq të zgjidhë në rrugë administrative problemin e debisë së vjetër te OSHEE por pa sukses. OSHEE i thotë se nuk do t’ia rilidhë rrymën për sa kohë nuk është zgjidhur problemi i debisë. Ajo nuk e pranoi ofertën e kompanisë për të lidhur kontratë për shlyerje me këste të detyrimeve të prapambetura duke thënë se i konsideron faturimet afrofe të viteve 2007 -2010 të padrejta.
Operatori i Shpërndarjes nisi një fushatë në fillim të vitit 2007 për të vendosur kontrata me një numër konsumatorësh, përgjithësisht në zonat e reja informale përreth qyteteve të mëdha, duke dërguar fatura afrofe. Kjo fushatë shkaktoi edhe shumë probleme, shpesh të lidhura me mbifaturimin.
Kështu, megjithëse teorikisht operatori duhet të ndërpresë furnizimin me drita në rast se klienti nuk paguan faturën për dy muaj, mijëra familje vijuan të furnizohen dhe të faturohen afrofe për shumë vite.
Nga ana tjetër, teorikisht, kompania duhet të instalojë një matës të ri kur klienti rezulton pa matës dhe faturimi afrofe duhet të jetë vetëm për një periudhë të shkurtër. Por në të vërtetë, konsumatorët historikisht kanë vuajtur për t’u pajisur me matës pasi kompania nuk ka pasur kurrë në dispozicion matësa për të plotësuar kërkesën.
Duke e njohur këtë defekt të sistemit, ligji i ri i miratuar këtë vit për energjinë elektrike, zbatoi rregulloren e Bashkimit Europian e cila kërkon që faturimi me konsum referencë të mos vijojë për më shumë se tri muaj dhe se në rast se kompania nuk pajis konsumatorin me matës brenda kësaj periudhe, detyrohet që të faturojë konsum zero pas muajit të tretë për aq kohë sa nuk ka matës.
Faturat afrofe të cilat mori edhe Afërdita për periudhën 2007-2010 qenë rreth 4 mijë lekë në muaj për periudhën e verës dhe afro 8 mijë lekë në muaj për periudhën e dimrit.
“Unë nuk kisha në shtëpi as lavatriçe. Rrobat e fëmijëve i laja me kazan zjarri jashtë në oborr,” thotë ajo duke argumentuar se faturat afrofe qenë të padrejta.
Për Afërditën, dallimi nga faturimi i zakonshëm prej 1 apo 2 mijë lekë në muaj në faturim afrofe nënkuptonte kalimin nga konsumator i rregullt në konsumator në pamundësi për të paguar.
Por për autoritetet, kjo nuk duket se përbën arsye për mirëkuptim. OSHEE nuk e mori parasysh faktin që Afërdita i kishte paguar rregullisht detyrimet ndaj kompanisë para dhe pas faturimit afrove kur vendosën t’i ndërpresin dritat.
Shkresa e dhjetorit 2014 e ERE, që urdhëron OSHEE të vlerësojë ankesat e konsumatorëve për faturime abuzive dhe t’i anulojë faturat abuzive.
Pas ndërprerjes së energjisë elektrike dhe vendosjen e saj në listën e zezë të debitorëve të OSHEE-së, Afërdita ka rilidhur energjinë vetëm për ndriçimin e një dhomës së ndenjes, akt të cilin e ka paguar me 18 muaj dënim nga Gjykata e Tiranës.
“Jam arrestuar si të kisha bërë krimin më të rëndë në këtë vend ndërkohë që nuk kisha vjedhur energjinë pasi lidhja që unë kisha bërë për një poç e energjia që konsumoja faturohej. Ditën që kam lidhur dritën kanë ardhur të policisë dhe më kanë shoqëruar në komisariatin nr. 1,” thotë Afërdita.
Shumë shkresa dhe asnjë zgjidhje
Afërdita dërgoi shkresa të vazhdueshme te Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke kërkuar anulimin e faturimit abuziv, por kërkesat e saj mbetën pa përgjigje. Ankesa e parë e Afërditës ndaj OSHEE për mbifaturimin abuziv të periudhës 2007-2009 është dorëzuar në fund të vitit 2014, por nuk ka marrë përgjigje. Pasi Afërdita u ankua te Enti Rregullator i Energjisë, ky i fundit në dhjetor 2014 urdhëron OSHEE-në të verifikojë faturimet dhe të anulojë ato faturime që konsiderohen abuzive. Por as urdhëri i ERE, institucion që mes të tjerave, ka për detyrë të mbrojë konsumatorët, nuk e bindi OSHEE-në të marrë ndonjë veprim në lidhje me ankesën.
Pas interesimit të BIRN, OSHEE bëri të ditur se e ka shqyrtuar edhe një herë ankesën e Afërdita Kolës dhe ka dalë në përfundimin se faturimi afrofe i periudhës 2007-2010 është i padrejtë dhe duhet të shqyrtohet.
Kërkesa e saj u mor në shqyrtim nga OSHEE nëntë muaj pas urdhrit të ERE. Ndërkohë, Afërdita Kola dhe fëmijët e saj vijojnë të jetojnë pa energji elektrike. BIRN/