Kinemaja e Gjergj Xhuvanit konsiderohet rëndom si sinor mes kinemasë së realizmit socialist dhe kinemasë së re të pas 90-ës kur edhe u shfaq filmi i tij i parë si regjisor. Pas përfundimit të studimeve për arte dramatike në Akademinë e Arteve dhe katër viteve sprovë si asistent regjisor, “Bardh e Zi” i Gjergj Xhuvanit u shfaq në vitin 1991. “Bardh e Zi” rrëfen dy rrugëtime paralele, atë të një zyrtari të lartë partie që ka si prioritet karrierën dhe atë të një mjeku që kërkon të tregohet i njerëzishëm. Djalë i njërit prej shkrimtarëve dhe skenaristëve më të vlerësuar, Dhimitër Xhuvani, Gjergj Xhuvani ka përshtatur në skenarë disa romane të të atit, ashtu siç është filmi i tij i dytë “E diela e fundit”. Disa vite më vonë Xhuvani realizoi një prej filmave ikonikë të krijimtarisë së tij si regjisor dhe skenarist, “Parrullat”, i cili u shfaq në vitin 2001 me një subjekt të vendosur në kohën kur mësuesve u duhej të prinin nxënësit në aksion për të shkruar parrulla për partinë komuniste. Ky film jo vetëm që u shndërrua shpejt në një prej filmave emblematikë të kinemasë së re, por e bëri Gjergj Xhuvanin të parin regjisor shqiptar në festivalin e Kanës. Në kujtim të regjisorit Gjergj Xhuvani emisioni “Jo vetëm modë” në Tv Klan ka realizuar një dokumentar ku flasim për të edhe personazhe të ndryshëm të cilët njihnin nga afër Xhuvanin.
“A-ja e marrëdhënieve në përgjithësi është modestia dhe në përgjithësi Gjergji edhe në kohën e tij të lirë rrinte me njerëz të cilët ishin modestë. Shquhej për humorin, batutën dhe këto janë gjëra që mund ti thotë kushdo që e ka takuar apo punuar me të. Më ka ngelur pishman që, një ditë para se të ikte, donte të vinte të më takonte dhe për arsye fare banale ne nuk u takuam. Më ngeli pishman, sepse ishte kërkesa e tij për t’u takuar, mua më doli një punë e vogël dhe nuk u takuam. Më ngeli pishman. Pastaj, pishmani i madh është që iku aq i ri dhe… Kishte shumë punë për të bërë”, tha Petrit Beci, ish drejtor QKK.
“Unë isha studente e brezit të parë, ne ishim 10 studentë, isha vajza e parë dhe nuk do harroj ditën e parë kur u ulëm në auditor dhe duhej të zhvillonim orën e parë të mësimit sëbashku dhe ai na tha: Duhet të harroni kinemanë si e keni mësuar në kohën e diktaturës. “Ne duhet’, na tha ai atë ditë të parë, ta mendojmë njeriun me të gjithë ngarkesën e tij, me gjithë ditën e tij kur vjen tek ne”, tha moderatorja Suela Demiri.
“Më ka mësuar që laboratori i artit, është shpirti yt”, u shpreh regjisori Silvi Tozaj.
“Nuk mbaronte filmi as në skenar, as në letër, as në zyrë, as në xhirim. Në Itali ditët e fundit shkoi sepse muzika, një fishkëllimë, nuk ishte bukur me atë që ishte realizuar në Romë. Bashkë me kompozitorin gjetën një në Siçili, sepse ishte më origjinal me një fishkëllimë që i duhej filmit. Nga Gjergji kam kuptuar një gjë që, qoftë një shofer, qoftë një kameraman, janë të gjithë kolegë. Ai ashtu i trajtonte njerëzit. S’e di. Jeta është shumë e çuditshme. Ishte thjesht buton, kur…Kjo është jeta”, tha producenti Dritan Huqi.
“E mbaj mend Gjergjin, por edhe Luizën. Sapo kisha nisur atëherë si pedagog në Akademinë e Arteve- sot Universiteti i Arteve- si asistent i Drita Pelinkut. Ishte një komedi e Molierit ku ata të dy ishin aktorë. Besoj se ishin jo vetëm në hapat e para të njohjes, por edhe në ditët e para të dashurisë midis tyre.
Lexonte jo vetëm për Molierin, por edhe për kohën, situatën. Një djalë i cili donte të lexonte. Futej në thellësi të asaj çka bënte.
Ngjarje për mua ishte filmi “Dashuria e Fundit”, ku Gjergji ishte regjisor, Luiza partnere kryesore. Përshtypje më të madhe më ka bërë që, përpara një gote verë, ata flisnin për shumë pak gjëra. Sepse gjërat që flisnin ishin: kinemaja, aktorët, regjisorët, teatri, letërsia. Asnjë gjë tjetër!
Kam një lloj kritike karshi vetes sime që, nuk munda në atë periudhë të isha kaq i thellë për gjërat më kryesore të jetës sonë, si kinemaja, teatri apo letërsia. Iku ashtu, qetësisht. E dinë të gjithë që, iku nga kjo jetë në gjumë, pa ndonjë përpjekje që të tregonte… ashtu i qetë, siç ishte, paqësor. Unë jam i bindur që, edhe në atë botë, ashtu siç ishte, i paqtë, në paqe do jetë”, Kastriot Çaushi, rektor i Universitetit të Arteve./l.m