Në një prononcim publik për mediet, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni u shpreh kundër kalimit të Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Aktualisht, Kopshti Botanik është pronë e Universitetit të Tiranës, për të cilin Koni thekson se “marrja e këtij vendimi është në shkelje të hapur të autonomisë së Universitetit të Tiranës dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin e Arsimit të Lartë”.
Koni ndër të tjera shton se i ka kërkuar Ministres së Arsimit edhe dokumentacionin shoqërues të projektvendimit të dërguar për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave, por sipas tij nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Kam kërkuar të më vihej në dispozicion praktika e plotë që ishte dërguar pranë Këshillit të Ministrave për marrjen e këtij vendimi, ku të përfshiheshin: projektvendimi me relacionin përkatës si dhe mendimet/propozimet e dhëna nga ministritë e linjës. Gjithashtu, me shkresën nr. 3396/2 datë 23.07.2019, drejtuar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, kam kërkuar të më vihej në dispozicion praktika e plotë që MASR kishte përcjellë për marrjen e këtij vendimi ku përfshiheshin: projektvendimi me relacionin përkatës si dhe mendimet/propozimet e dhëna nga MASR. Por, deri sot, nuk ka ardhur asnjë përgjigje”, – u shpreh Koni për mediet.
“Si pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe si ish-student i atij fakulteti, ju siguroj se do të vazhdoj me të gjithë forcën time dhe të ligjit, të kundërshtoj këtë VKM, deri në anulimin e tij”, – përfundon Koni.
/atsh/a.r