Përmbytjet e fundit nga Gjanica në Fier kanë sjellë mbylljen e shumë prej bizneseve përgjatë lumit. Dëmet e pësuara sa herë ka përmbytje, kanë sjellë mbylljen e aktiviteteve tregtare dhe dhënien e ambienteve me qera.
Kur kanë kaluar dhjetë ditë nga përmbytja prej Gjanicës e rreth 170 bizneseve, situata vijon të jetë e vështirë.
Efektet më të mëdha nga vërshimi i ujit, i kanë ndier rreth 50 biznese të vogla e të mesme në rrugën “Dhimitër Panda ” që lidh pedonalen e qytetit më lagjen “1 Maji”, të cilat kanë ulur qepenin.
Tregtarët pas përmbytjes kanë pastruar bizneset, por mundësia e lartë për të tjera përmbytje gjatë dimrit kanë sjellë mbylljen e tyre.
Jashtë kamerave përfaqësuesit e bizneseve thonë se situata është e njëjtë prej disa vitesh në Fier, por ndonëse pas çdo përmbytje bëhen pastrime kanalesh apo sistemime kanalesh apo argjinature, sërish uji ua ka dëmtuar mallin.
Një ditë më parë, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, tha për Ora News se po shikohet mundësia e mbylljes së përkohshmë të aktivitetit të bizneseve përgjatë Gjanicës përiudhën e dimrit, si një masë për të minimizuar dëmin nga përmbytjet e pritshme.
Ora News