416 anije dhe 724 tragete janë përpunuar gjatë periudhës janar – gusht të këtij viti në portin e Durrësit – bëhet e ditur nga sektori i Statistikave në Autoritetin Portual, ndërsa mësohet se volumi i mallrave të përpunuara e ka tejkaluar me 14 % volumin e mallrave që janë përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në këto tetë muaj në kalatat e katër Terminaleve portualë janë përpunuar 2,757,609 ton mallra gjithsej, ose rreth 333 mijë ton më shumë se sa vitin e kaluar.
Sipas statistikave portuale, pjesa më e madhe, mbi 2,15 milion ton mallra janë përpunuar nga anije tregtare që kanë mbërritur ose janë nisur të ngarkuar me mallra në portin më të madh të vendit.
Shifra është 16% më e lartë se sa ajo e janar-gushtit 2018, shtuan burimet, sipas të cilave volumi i mallrave të përpunuara nga tragetet arrin në afro 600 mijë ton, ose 5% më shumë se sa vjet.