Nga Dritan Ikonomi
FIFA ka publikuar emrat e dhjetë trajnerëve kandidatë për të fituar çmimin e më të mirit të vitit. Janë pothuajse të gjithë emra sugjestionues, me karrierë fantastike, sinonime të suksesit.
Sidoqoftë, është një çmim që jepet çdo vit, jo për karrierën apo zotësinë taktike, por për sukseset e arritura në harkun kohor të 365 ditëve të fundit. Për këtë arsye, lista është e paplotë, aty mungon një emër si Gianni De Biasi. Mund të mos jetë më i mirë se Pep Guardiola, Jose Mourinho apo Carlo Ancelotti, por për vitin 2015 ka arritur më tepër se ata, duke llogaritur skuadrën që ka në dispozicion dhe frekuencën e ngjarjes.
Bayern kampion i Gjermanisë, edhe pse është pa dyshim sukses, është një ngjarje që ndodh thuajse çdo vit, ashtu sikurse edhe Paris SG në Francë, apo titulli i Chelsea-t në Angli, një ngjarje jo e përvitshme, por që nuk habit askënd. Apo Ancelotti pa asnjë trofe në gjysmën e parë të vitit dhe pushim në gjysmën e dytë të tij.
Ata që habitën vërtet ishin të tjerë. Ishte Gianni De Biasi, që me Shqipërinë e tij luftoi deri në dy ndeshje nga fundi për vendin e parë në grup, duke zënë përfundimisht më pas të dytin, për të lënë në play-off Danimarkën e jashtë loje Serbinë. Shqipëria në finale, një fjali që nuk ishte thënë kurrë më parë, një sukses unik.
Ashtu si De Biasi, është edhe Lars Lagerback, suedezi që arriti të njëjtën mrekulli me Islandën, me këtë vend ishullor edhe më të vogël se Shqipëria por që la jashtë një superfuqi si Holanda. Këto janë arritjet që mahnitin tiozët kudo në botë, këta janë Davidët që mundin Goliathët edhe pse nuk kanë fuqinë e tyre.
Me harresën e këtyre dy emrave, FIFA ka përforcuar edhe një herë dyshimin se çmimet e mëdha të përvitshme janë pronë e emrave të mëdhenj, të rrethuar me fuqinë e madhe të propogandës e komercialitetit.
Nuk është hera e parë, as me futbollin shqiptar. Më 2012, Elis Bakaj shënoi një gol fantastik me Odesën kundër Tavrias (mund ta shihni në videon poshtë) por që nuk u mor në konsideratë për dhjetë golat e vitit. Sikur ta kishte shënuar Ronaldo apo Ibra, me siguri që edhe sot do të ishte në spotet publicitare për futbollin e bukur…
Goli i Bakajt