Ndërhyrjet e bëra në gjithë sistemin penitenciar në vend kanë dhënë rezultatet e tyre duke rritur sigurinë e brendshme.
Së fundmi, nga informacionet e marra në rrugë informative, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka kryer 3 operacione të suksesshme në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal “Lezhë”.
Burime për “Tirananeës” bëjnë me dije se pas hetimeve paraprake, është kryer një kontroll në tualetet e fushës së ajrimit ku janë gjendur dy qese të vogla me 46 doza të dyshuara si canabis sativa.
Menjëherë u kryen veprimet proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale të parashikuar nga nenet 324/a e 283/2 te Kodit Penal.
Po në këtë institucion, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve zbuloi edhe dy raste të tjera të posedimit të lëndëve narkotike me peshë totale 137.8 gram.
Nga ana e ministrisë së Drejtësisë është montuar teknologjia e monitorimit të të dënuarve, pajisje valë bllokuese dhe sisteme të tjera përgjimi të cilat kanë “blinduar” institucioninet e vuajtjes së dënimit.
Kohët e fundit, vëmendja ndaj sistemit penitenciar në vend është rritur ndjeshëm si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, ku transformimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit po vijon me ritme të larta si në aspektin fizik të godinave, ashtu edhe atë logjistik apo administrativ për të garantuar siguri si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për ata që vuajnë dënimin. /l.m