Një fabrikë e përpunimit të prodhimeve bujqësore operon prej disa vitesh në tregun vendas e të huaj dhe ka produkte që eksportohen në Europë dhe SHBA. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi vizitoi në Lushnje biznesin.
Ai tha se indrustria e agropërpunimit është një nga shtyllat kryesore që do të vazhdojë të mbështetet me fonde përmes Skemës Kombëtare dhe Programit IPARD.
“Ne do t’i japim përparësi sektorit të agropërpunimit. Është një nga sektorët që në të gjithë botën ka bërë ndryshimin në prodhimin bujqësor. Krahas promovimit të serrave apo sektorëve të tjerë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, për ne agropërpunimi është gjithashtu një nga shtyllat e rëndësishme për të patur një rritje cilësore të prodhimit bujqësor.
Ky biznes ka aplikuar edhe në programin IPARD dhe besoj se do të jetë i favorizuar”, tha ministri Çuçi.
Ministri u ndal edhe tek vështirësitë e këtyre bizneseve për të gjetur fuqi punëtore, ku kjo i frenon të rriten më tej dhe të shtojnë kapacitetet. Ministri tha se ndoshta ka ardhur momenti që tregu i punës të hapet edhe për të huajt.
Në fabrikën e përpunimit të prodhimeve bujqësore punojnë rreth 150 vetë. Ky biznes ka kontrata furnizimi me mbi 200 fermerë të zonës së Myzeqesë. Stimulimi i industrisë agropërpunuese në vend është një nga prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë dhe krijon edhe shumë vende të reja pune.
g.kosovari