Milionat e siguruara nga skema e mashtrimit me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nuk janë të ardhurat e vetme që dyshohet se kanë siguruar të paktën dy nga shtatë biznesmenët e arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit antiinformalitet. Haxhi Sala, si pronar i “Leksi Security” dhe Paqsor Buzi, si pronar i “G.P.G Company”, kanë marrë miliona lekë të tjera në disa tendera që kanë fituar nga institucionet qendrore dhe vendore për punë dhe shërbime publike.
Shoqëria private e ruajtjes dhe sigurisë fizike “Leksi Security” ka fituar dy tendera në tre vitet e fundit, me një vlerë totale rreth 21 milionë lekë. Në 2017 kjo kompani fiton tenderin me objekt “Shërbime të sigurisë dhe ruajtjes fizike për godinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për magazinat në Lundër për vitin 2017”. Fondi limit ishte rreth 6 mln lekë të reja dhe kompania e Haxhi Salas u shpall fituese me ofertën prej 4.5 mln lekësh të reja.
Një vit më vonë, kompania “Leksi Security” fiton tenderin për ruajtjen dhe sigurinë fizike të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” (Sanatoriumi) me ofertën prej rreth 15 mln lekësh të reja nga 15.8 mln lekë që ishte fondi limit.
Në fillim të këtij viti, kompania në fjalë fitoi tenderin për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin Luftinjë të Memaliajt me aksin nacional. Fondi limit i vënë në dispozicion nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte rreth 193.5 milionë lekë, ndërsa kompania fitoi me ofertën prej rreth 110 milionë lekësh.
Në 2017, “G.P.G Company” ka fituar ndërtimin e rrugës Voskopojë Kisha e Shën Prodhomit me ofertën prej 83 milionë lekësh nga 87.5 mln lekë që ishte fondi limit i vendosur nga Agjencia për Zhvillimin Rajonal e Korçës.
Përveç këtyre tenderave të fituar drejtpërdrejtë, në faqen zyrtare në internet, kjo kompani thotë se ka kryer punime nga të ndryshme në infrastrukturë nga Konispoli në Vermosh si e nënkontraktuar nga kompani të tjera. Mes këtyre punimeve rendit punime për Bypass-in në Vlorë dhe punime të tjera në Rrugën e Arbrit.
Kontraktori më i madh i “Rilindjes Urbane”, mes të arrestuarve për skemën mashtruese
Kontraktori më i madh i qeverisë në projektet e Rilindjes Urbane, Paqsor Buzi i kompanisë së ndërtimit G.P.G u arrestua mbrëmjen e së mërkurës si pjesë e një grupi biznesmenësh që dyshohet se janë përfshirë në një skeme mashtruese me tatimin mbi vlerën e shtuar, TVSH.
Buzi, i cili është njëherazi administrator dhe aksioner me 50% i kompanisë së ndërtimit G.P.G Company sh.p.k u arrestua bashkë me 14 biznesmenë të tjerë në Tiranë me akuzat e “krijimit të skemave mashtruese me TVSH”, “falsifikimit” dhe “fshehjes së të ardhurave”.
Biznesmenët akuzohen se prodhonin fatura fiktive shit-blerjesh me qëllim përfitimin e TVSH-së. Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, vlera e faturave fiktive është 182.6 milionë lekë me një dëm prej 25.7 milionësh si rimbursim TVSH-je për buxhetin e shtetit.
Një prokuror në dijeni të hetimit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se në skemën e mashtrimit janë përfshirë 50 kompani të fushave të ndryshme dhe përveç 15 personave të arrestuar, u shpallën në kërkim edhe 35 të tjerë.
Mashtrimi me TVSH-në është një ndër krimet ekonomike më të shpeshta në Shqipëri, por hetimet në të shkuarën kanë dështuar të zbulojnë apo ndëshkojnë “arkitektët” e këtyre skemave. Në janar 2019, Prokuroria e Tiranës arrestoi një grup administratorësh të kompanive fiktive për një skemë të ngjashme me dëm 18 milionë euro, por bizneset VIP që u tha se ishin pjesë e skemës, nuk janë identifikuar ende.
Sipas Prokurorisë, skema më e fundit mashtruese është realizuar prej vitit 2017 përmes pesë kompanive “fantazmë”, të cilat ndonëse rezultonin me aktivitet dhe xhiro zero në Drejtorinë e Tatimeve, prodhonin fatura multimilonëshe përmes transaksioneve fiktive për llogari të kompanive të akuzuara.
“Nga analizimi i librave të blerjes rezultoi se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe, sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka berë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor,” thuhet në njoftimin e policisë.
G.P.G Company është më e madhja mes kompanive nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, me kapital prej 1 miliard lekësh dhe xhiro prej 1.4 miliardë lekësh për vitin 2018. Sipas të dhënave që BIRN i disponon, kompania e administruar nga Paqsor Buzi është gjithashtu fituesi më i madh i tenderëve në kuadër të projektit të bujshëm “Rilindja Urbane” të qeverisë.
Përgjatë viteve 2014-2018, G.P.G Company ka fituar 32 projekte të financuara nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve me vlerë totale 28.6 milionë euro; duke rikonstruktuar qendrat e qyteteve të Korçës, Beratit, Delvinës, Lushnjes dhe Konispolit si dhe projekte të tjera në asfaltim rrugësh dhe bulevardesh, ndërtim shkollash apo ujësjellësa.
Sipas të dhënave të Thesarit, G.P.G Company ka përfituar tendera publikë në vlerën e 54 milionë eurove në total përgjatë viteve 2015-2019.
Shumica e sipërmarrësve të tjerë të arrestuar operonin gjithashtu në fushën e ndërtimit, të tillë si Besnik Pelivani i kompanisë A.B.BE, Shkëlqim Prodani i kompanisë Red Black, Mhill Ndreca i kompanisë Kombeas, Rabi Kurti i kompanisë Kurti Construction, Riza Roshi i kompanisë Dorgen dhe Vangjush Mbriçe i C.E.C Group.
Të arrestuarit e tjerë janë pronarët e kompanive të ruajtjes fizike, Haxhi Sala i Leksi Security dhe Astrit Lala i Leksi Security 1; Fatmir Firi dhe Ardian Bejko nga kompanitë e transportit Arb&Trans dhe Babeko Trans; Ilia Dimo i IBS sh.p.k, Shpresa Joanidhi nga kompania “Shpresa” sh.p.k, Vasil Korita nga kompania farmaceutike Medi Pharma Company si dhe Rrapo Baduni i kompanisë Bani/s, e cila dyshohet se nuk zotëronte aktivitet real.
Prokuroria ka identifikuar gjithashtu pesë kompanitë fantazmë, të cilat dyshohet se përdoreshin për shit-blerjet fiktive ndonëse nuk rezultojnë të kenë asnjë aktivitet real, por administratorët e tyre po hetohen aktualisht në gjendje të lirë.
Operacioni i arrestimit të biznesmenëve
Policia e Tiranës në kuadër të aksionit kundër informalitetit, ka arrestuar mbrëmjen e së mërkurës 15 persona, mes tyre edhe 7 biznesmenë pasi akuzohen për mashtrim me skemat e TVSH-së.
Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Hetimin Tatimor kanë kryer aksionin, ndërkohë që me çështjen po merret personalisht prokurorja Elisabeta Imeraj dhe Valentin Prenci. Mësohet se aksioni ka nisur prej ditësh dhe vijon ende he të dyshuar janë rreth 50 persona.
Në njoftimin zyrtar policia tha se në pranga u vunë 15 administratorë të shoqërive dhe kompanive të ndryshme.
“Në vijim të planin të posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”, Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Hetimin Tatimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Informaliteti”, njoftoi Policia.
Të arrestuarit janë Besnik Pelivani, Astrit Lala, Haxhi Sala, Ardian Bejko, Mhill Ndreca, Rrapo Prodani dhe Shpresa Joanidhi. Po ashtu në pranga ranë Fatmir Firi, Paqsor Buzi, Vangjush Mbirce, Rabi Kurti, Riza Roshi, Rrapo Baduni dhe Albert Ahmeti.
“Ndalimi i tyre është bërë pasi këta shtetas me aktivitete të ndryshme ekonomike si: Ndërtime konstruksion godinash , ndërtime të ndryshme, import,eksport, tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industrial, ushqimore, makineri e pjesë këmbimi, pajisje elektrike, elektronike, hidraulike, lëndë të para, materiale ndërtimi kanë kryer shitje dhe blerje të faturave fiktive në total në vlerën 182.677.020 lekë me TVSH 25.704.243 lekë të reja. Shitjet janë kryer vetëm tek një subjekt tregtar për të cilin nuk jepen të dhënat për arsye hetimi”, tha policia.
Sipas saj, nga analizimi i librave të blerjes rezulton se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka bërë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor.
Në kuadër të këtij procedimi janë shpallur disa shtetas në kërkim, ku për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera.
Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave” .
Të arrestuarit
Paqsor Buzi, aksioner me 50% i G.P.G Company
Besnik Pelivani, kompania e ndërtimit A.B.BE
Astrit Lala, kompania Leksi Security 1
Haxhi Sala, kompania Leksi Security
Ilia Dimo, kompania IBS sh.p.k
Fatmir Firi, kompania Arb &Trans Sh.p.k
Shkëlqim Prodani, kompania Red Black
Ardian Bejko, kompania “Babeko Trans”
Shpresa Joanidhi, kompania “Shpresa” sh.p.k
Mhill Ndreca, kompania “Kombeas”
Rabi Kurti, kompania “Kurti Construction”
Riza Roshi, kompania “Dorgen” sh.p.k
Rrapo Baduni, kompania “Bani/s”
Vasil Korita, kompania “Medi Pharma”
Vangjush Mbriçe, kompania C.E.C Group