Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, Banka e Shqipërisë ka rikujtuar edhe një herë monedhën e emetuar në vitin 2012, si shenjë përkujtimore për këtë figurë të shquar dhe të dashur për Shqipërinë dhe mbarë botën.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të BSH janë ri cilësuar detajet e kësaj monedhe, të përpiluar posaçërisht për të kujtuar ditën kur Papa Françesku e shpalli atë shenjtore në një ceremoni madhështore në sheshin “Shën Pjetër”, ku merrnin pjesë mijëra besimtarë nga e gjithë bota. Pikërisht 5 shtatori shënon Ditën e Shenjtores shqiptare, Shën Tereza e Kalkutës.
Në qendër të monedhës qëndron një pëllumb i stilizuar në fluturim, si simbol i paqes, ngjyra e të cilit së bashku me atë të shiritave harkorë e harmonikë, që mbyllin formën rrethore të monedhës, është e njëjtë me atë të shamisë, në pamjen pas të monedhës. Në pjesën e poshtme, shkruhet vlera emërore, 200 Lekë.
Në hark sipër, në formë simetrike, dy degë ulliri, si simbol i paqes që Nënë Tereza përcolli midis njerëzve. Ndërsa në pamjen e pasme, në qendër të monedhës është vendosur portreti i Nënë Terezës. Mbi portret shkruhet “NËNË TEREZA” dhe vitet e lindjes e të vdekjes. Poshtë portretit shkruhet emri i lindjes “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu” dhe në hark poshtë “SHQIPËRI – ALBANIA 2012”, specifikohet në mesazhin e publikuar nga BSH.
/a.r