Ditën e sotme, përmes një konference për shtyp, deputetja e PD, Izmira Ulqinaku publikoi një skandal që sipas saj provon përmasat e aferave korruptive të qeverisë Rama.
Sipas Ulqinakut, drejtoresha e Zyrës së Punës në Shkodër përfshin, përkundër pagesës, në programe të formimit profesional persona të punësuar, çka është në kundërshtim me ligjin.
Vendosja në këtë program sjell përfitimin e një gjysmë page minimale për personat në fjalë.
Për të provuar këtë skandal, Partia Demokratike publikoi të dhëna nga kontributet shëndetësore si dhe nga Zyra e Punës, për shtetasin Edmond Gusha.
Megjithatë, në provat e sjella në media nga PD ekziston një bllof i madh. Në dokumentat e PD, duket qartë që shtetasi në fjalë derdh kontribute në shtet nga muaji shtator 2018.
Ndërsa në dokumentin tjetër, atë të Zyrës së Punës, që sipas PD provon skandalin, ky shtetas figuron i çrregjistruar që prej datës 18 shtator 2018, pikërisht data kur është punësuar pranë një kompanie private, duke nisur derdhjen e sigurimeve. (qarkuar me të kuqe)
Prandaj, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me asnjë skandal. Shtetasi Gusha i është afruar Zyrave të Punës si i papunë, duke kërkuar përfitmin e një kursi profesional, i cili e ka lejuar më në fund të punësohet ligjërisht në një kompani private.
Menjëherë pas punësimi, në përputhje me ligjin, Gusha është çrregjistruar menjëherë nga lista e punëkërkuesve të papunë. Me shume se nje skandal, ajo qe PD ka publikuar eshte nje histori suksesi, e menyres se si funksionojne Zyrat e Punes.
Ekzistojnë vetëm dy mundësi për të shpjeguar këtë bllof. Ose kemi të bëjmë me një situatë të qëllimshme, ku PD ka vendosur pavarësisht këtij fakti që të publikojë këto të dhëna nën moton “baltë baltë se diçka do të ngelet”, ose kemi të bëjme më një mungesë të plotë përgjegjësie, që sjell publikimin e të dhënave personale të qytetarëve, pa asnjë verifikim të mëparshëm.
Në secilin rast, Partia Demokratike sot ka bërë një autogol të çuditshëm, duke publikuar dokumenta kontradiktorë që në një shikim të parë dhe aspak të specializuar./Lexo.al