Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar një letërporosi në Greqi për të marrë informacion mbi kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Prokuroria kërkon nga autoritetet greke të dhëna për Agim Kajmakun (Jorgo Toto) nëse është i dënuar në këtë shtet. Report Tv po ashtu mëson se Njësia e Dekriminalizimit i ka kërkuar Agim Kajmakut që të depozitojë në policinë shkencore gjurmët e gishtërinjve.
Letërporosia nga Prokuroria e Përgjithshme e firmosur nga prokurori Arben Kraja është nisur ditën e premte. Pas asaj për Valdrin Pjetrin ku i kërkohet informacion shtetit italian, kjo është lëtërporosia e dytë që firmoset nga Kraja për të marrë informacion mbi figurën e një kryebashkiaku të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Kjo lëvizje e Prokurorisë së Përgjithshme ka ardhur pas akuzave të Partisë Demokratike ku deklaronin se Agim Kajmaku ka qenë i dënuar më parë në Greqi. Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i cili ka firmosur një kërkesë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar figurën e Agim Kajmakut, disa ditë më parë.
Kujtojmë se për shkak të disa dokumenteve që Partia Demokratike nxori kundrejt Valdrin Pjetrit në Shkodër, ky i fundit u tërhoq nga marrja e detyrës së kryetari të Bashkisë së qytetit verior, pasi dyshohet se është dënuar në vitin 2003 për trafik droge.
Por nga ana e Kajmakut nuk kemi një tërheqje dhe ai deri më tani ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike se është i dënuar dhe i dëbuar nga shteti grek. Në një reagim për Shqiptarja.com ai deklaroi se ka udhëtuar lirisht në çdo vend të Bashkimit Evropian, për shkak edhe të biznesit të tij. Kajmaku tha se këto akuza janë për qëllime politike.
Ndërkohë nga ana tjetër Partia Demokratike ka deklaruar se do të nxjerrë edhe dokumente për dëbimin e Kjamakut nga Greqia.
g.kosovari