Lokali “Panorma”, në Porto Palermo, është mbyllur nga familjarët e Mihal Kokëdhimës. Turistët kanë shfrytëzuar për plazh pa pagesë bregdetin që përdorej nga pronarët e këtij lokali.
Ndërsa në parkingun e këtij biznesi, ku ndodhi incidenti me turistët spanjollë, qëndrojnë vazhdimisht punonjës Policie.
Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në bregdetin shqiptar, lokali i Mihal Kokëdhimës, në Porto Palermo të Himarës, po i nënshtrohet verifikimit të dokumentacionit nëse është korrekt me ligjin ose jo.
Menjëherë pas arrestimit të 51- vjeçarit Kokëdhima, me dyshimet se sulmoi turistët spanjollë pas konfliktit për peshkun në restorantin e tij, Policia e ka bllokuar aktivitetin në këtë ambient.
Aktualisht po verifikohet nëse pronari e ka regjistruar si aktivitet dhe nëse i paguan apo jo detyrimet shtetërore. Madje, në rast se do të konstatohen mangësi, nuk përjashtohet mundësia që lokali buzë detit të shembet, edhe pse aktualisht ndodhet në proces legalizimi.
g.kosovari