Ditën e sotme do të konstituohet Këshilli Bashkiak të Shkodrës, i cili do të organizohet jo në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi”, siç ishte parashikuar por tek biblioteka e Universitetit të Shkodrës, në një godinë tjetër. Shkak për këtë ndryshim është bërë protesta e paralajmëruar nga dega e Partisë Demokratike në Shkodër.
Ky është ndryshimi i dytë që bëhet për konstituimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
Dega e Shkodrës e ka konsideruar si provokim nga ana e kryeministrit Edi Rama, konstituimin e Këshillit Bashkiak në ambientet e universitetit, ku theksojnë se nuk do të lejojnë që aty ku 30 vite më parë u mblodhën të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist, të vendoset një tjetër regjim.
Për këtë arsye u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestave. Po kështu selia e PD-së në Shkodër i ka kërkuar Rektorit të Universitetit ‘’Luigj Gurakuqi’’ Adem Bekteshi ‘’të ruajë strikt paanshmërinë politike të institucionit’’.
Konstituimi i këtij këshilli ishte planifikuar që të mbahej në datën 21 gusht, një ditë pasi i përfundon me ligj mandati i kryetares aktuale, Voltana Ademi.
Por Partia Socialiste e afroi me dy ditë datën e konstituimit, vendim i cili erdhi pas tërheqjes nga marrja e detyrës të kandidatit fitues, Valdrin Pjetri. Ky i fundit, rezultoi se kishte qenë i dënuar në Itali me burg për drogë në vitin 2003, por nuk e kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. PD-ja publikoi dokumentet që vërtetonin vendimin e autoriteteve italiane, teksa fshehjen e dënimit, kreu i qeverisë e ka konsideruar një akt të patolerueshëm dhe njoftoi se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore, PS dhe Pjetri i kanë rrugët e ndara.
Me refuzimin e presidentit Meta për të dekretuar një datë zgjedhjesh të re vetëm për Bashkinë Shkodër, duke qenë se ai nuk njeh 30 qershorin, Shkodra do të vijojë që të drejtohet nga Voltana Ademi, por me një Këshill Bashkiak me shumicë socialiste.
Shkodra, një bastion i së djathës, i drejtuar së fundmi nga Voltana Ademi, është “kalaja” e fundit në drejtimin e PD-së, për të cilët këta të fundit duket se janë zotuar se nuk do ta lirojnë aq lehtë siç ka ndodhur në disa prej bashkive të tjera.
“Partia Demokratike,dega Shkodër ditën e nesërme në orën 10:00,para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit tonë si qytetarë të Shkodrës. Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike,të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist. Pikërisht vendin që me 2 Prill, 4 dëshmorët e Demokracisë e lanë me gjakun e tyre e ku qindra të tjerë u plagosën. Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi. I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin,të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes. Prandaj i ftojmë të gjithë të bashkohen me ne,për dinjitetin e qytetit tonë,për dinjitetin e Shkodrës”, shkruan dega Shkodër.
/a.r