Sikur të kishin pritur dhe disa muaj, ndoshta sot do të ishin gjyshër me nipër e mbesa, por Dhurata Sokoli dhe Elez Kraja, donin të iknin sa më parë që të ndërtonin jetën e tyre larg Shqipërisë komuniste, pa e ditur se do të mbeteshin në kufi.
Diktatura komuniste ishte po aq e egër edhe në muajt e fundit të saj, ku janë vrarë në përpjekje për t’u arratisur mijëra shqiptarë të pafajshëm.
Ky ishte dhe fati i vajzës së re shkodrane, që bashkë me të fejuarin e saj, mbetën pa varr deri në vitin 1993, kur trupat e tyre u gjendën bashkë.
Elezi me një plumb në kokë, ndërsa Dhurata me disa plumba në anën e djathtë të trupit, e lënë në mes të shiut e plagosur, deri sa vdiq.
Historinë e tregon motra e saj Afërdita Sokoli, e cila ishte 14 vjeçe kur mori lajmin e kobshëm, në një intervistë të dhënë para disa vitesh për Gilmana Bushatin, Gazeta Shqiptare.
E takuat motrën tuaj para se të nisej dhe a ju tha ndonjë fjalë?
E mbaj mend si sot, që Lata më tha që po shkoj te daja në Tiranë dhe më tha ta përcillja deri poshtë, por mama nuk pranoi, i tha që do e përcillte ajo vetë. Më mori vetëm xhaketën që kisha, në fakt i ndërruam, ajo mori timen që ishte blu dhe më dha të vetën, që ishte e kuqe. Pasi e mora vesh historinë, mendoj se ajo e ka marrë xhaketën time se ishte e errët dhe nuk donte që të dallohej. Nuk më tha asnjë fjalë, di që më dha vetëm vathët e saj në formë zemre dhe asgjë tjetër.
Kur e morët vesh që kishte ndodhur tragjedia?
Vetëm pas tre ditësh. Vrasja ka ndodhur më 20 prill të 1990, e morëm vesh më 23 prill. Dikush i kishte thënë babit, fjalët erdhën shumë shpejt. Isha në ditëlindjen e një shoqeje, po festonim, atje erdhi e më mori mama, më solli një fustan të errët dhe më tha ta vishja. Shumë orë më vonë, më thanë se për çfarë bëhej fjalë. Ndoshta njerëzit e dinin edhe më herët, pasi vetëm pasi mora vesh lajmin e vdekjes, atëherë e kuptova se pse më shihnin me habi.
Pse e ndërmorën atë hap ata të dy pikërisht në atë kohë?
Kjo është një histori e gjatë, duhet të dish dhe të kuptosh mentalitetin e asaj kohe, që të shpjegosh me hollësi ngjarjen. Dhurata dhe Elezi u mërzitën nga pengesat që kishin për t’u martuar me njëri-tjetrin, u mërzitën me ambientin, me paragjykimet dhe me gjithçka dhe vendosën të ndërtonin të ardhmen e tyre së bashku diku larg gjithçkaje, larg asaj shoqërie që vetëm të mbyste. Ata duheshin dhe nuk kishin mundësi të realizonin ëndrrën e tyre, kështu që menduan se do të ishte me mirë të iknin. Ja kjo është me pak fjalë historia e tyre, histori që e dinte i gjithë qyteti jonë. Donin të iknin me not nga Drini. Elezi e kishte bërë ushtrinë në postën kufitare në Sukaj të Dajçit, pikërisht aty ku donte të kalonte kufirin. Ishte prill dhe mund të kalohej kollaj, distanca nuk ishte shumë e largët.
Më vonë, çfarë u bë me trupat e tyre, a ua dha shteti?
Pjesën tjetër të historisë e di vetëm nga mama e babai, që ma thonin ndërsa gjendesha jashtë Shqipërie. Unë ika më 1992, trupat e tyre nuk ishin gjetur ende. Po, trupat e tyre nuk u dhanë menjëherë, vetëm me insistimin e prindërve, këmbënguljen e mamës, që për tre vjet me radhë bënte shpesh rrugën Shkodër-Tiranë dhe Tiranë-Shkodër. Ka trokitur në të gjitha institucionet e mundshme, pasi donte të dinte për trupin e së bijës, për trupin e motrës sime. Për tre vjet me radhë dhe aq dëshpërimisht e ka kërkuar motrën mama, sa njëherë ka shkuar te vila e Ramiz Alisë. Atje e ka ndaluar ushtari, të cilit i ka thënë “më vrit edhe mua këtu, dua trupin e vajzës dhe asgjë tjetër”. Po mama me Ramizin janë kushërij të tretë, ajo e ka djalin e vajzës së tezes. Dhe kur ka dalë Ramizi, i ka thënë mamës “Ajo vajza jote na nxori shumë punë, kur të vijë demokracia t’ua gjejë ajo”. Në atë kohë ai ishte president i Republikës.
Dhe në çfarë viti u gjendën trupat?
Vetëm në 1993. Unë s’kam qenë këtu kur i kanë gjetur, di që kanë qenë varrosur në lulishten e antenave të “Radio Shkodrës” në fshatin Kuç. Kufomat që të dyja kanë qenë të zhveshura, të dy njëri mbi tjetrin dhe së bashku me ta, dhe rrobat që kanë pasur të veshur atë ditë. Kufoma e Elezit ka pasur një plumb në tëmth, ia kishin çarë kafkën, ndërsa ajo e motrës sime ka pasur pesë plumba në krahun e djathtë, që nga gjoksi deri te këmba. Që të dy kufomat kanë qenë të paprishura në momentin që ka hapur babai varrin ku ishin futur nga njerëzit e shërbimit të postës kufitare. Pasi kanë bërë rivarrimin, baba e mama kanë larë rrobat e motrës dhe kanë parë që ata nuk kanë pasur asnjë shenjë plumbi në to. Ato kanë qenë të paprishura, e kjo do të thotë se atë e kanë zhveshur para se ta vrisnin, e kanë vrarë të zhveshur.
Në komunikatën operative thuhet që Dhurata ka deponuar në postën e kufirit, pasi thuhet që ajo ka qenë e plagosur. Jeni në dijeni të këtij fakti?
Sipas asaj që kemi mësuar deri më tani, është se pasi i kanë zënë, kanë vrarë në vend Elezin me një plumb në kokë, më pas janë marrë me Dhuratën. Ajo është plagosur në orën tre të mëngjesit, e deri në orën 11:00 të paradites e kanë lënë jashtë në shi, duke humbur gjak, pas asnjë ndihmë tjetër. Më vonë, janë kujtuar dhe e kanë futur në ambulancë për ta çuar në spital, po ajo ka vdekur rrugës. Këtë ia ka thënë babit shoferi i autoambulancës. Edhe në ambulancë e kanë futur të zhveshur. Për mendimin tim, ata që kanë qenë në shërbim atë natë apo atë ditë, në postën kufitare, e kanë përdhunuar para se ajo të vdiste. Ata katër apo pesë ushtarë që ishin, të rinj ishin, me gjak të nxehtë dhe mendoj se mund ta kenë përdhunuar me radhë dhe pastaj e kanë vrarë. Por se si një shtet bën një krim kaq makabër ndaj një shtetasi të vet, unë s’e kam kuptuar dhe as e kam imagjinuar asnjëherë. Unë i kam mallkuar dhe vazhdoj t’i mallkoj ata njerëz, së bashku me mamën time, deri në fund të jetës. Unë, që kam qenë e re atëherë, për pothuajse një vit, e kam parë në ëndërr, një ëndërr që ndërtonte momentet e fundit të Dhuratës, atje në postën kufitare. Nëse unë vuajta dhe vazhdoj e vuaj nga kjo dhimbje e madhe, si mendoni se mund të ndjehet mama ime, tashmë e sëmurë, si mendoni se mund të ndjehet babai im, si mendoni se i konsiderojnë ato, ato farë dëshmpërblimesh që u jep shteti? Dhe që kur kam ikur, nuk kam dashur asnjëherë të kthehem në këtë vend që shkon deri aty sa të shfrytëzojë më të dobëtin, apo më të pambështeturin për përfitimet e momentit. Nuk dua ta shoh këtë vend, s’kam asnjë lidhje. Atje në hyrje të Shkodrës, dua të shënoj në një pllakatë të madhe “Larg”. Se përveçse ndodhi krimi, askush nuk mori përsipër të tregojë të vërtetën e tij, të gjithë historinë e kemi ndërtuar mbi të dhëna, sa atje këtu. Njëherë, një punëtor që po punonte në shtëpinë tonë, Hamdi Joka, na tha që kishte qenë në shërbim atë natë, në postën kufitare. Na tha që kishte si detyrë të hidhte prozhektorin mbi ata që kalonin kufirin, po ai nuk e paska bërë këtë dhe na tha që ishin vrarë pas shpine. Po kjo nuk është e vërtetë, breshëritë e plumbave motrën e kanë kapur përgjatë anës së djathtë të trupit.
A pati ndonjë të dënuar për këtë vrasje?
Prindërit e këtyre që u vranë në kufi, se nuk u vra vetëm Lata, po u vranë dhe të tjerë, dy të rinj që u sollën të zhveshur në mes të Shkodrës, ndërsa makina i tërhiqte zvarrë nëpër gjithë qytetin për të tmerruar qytetarët. Pra prindërit e këtyre, së bashku me të mitë, paditën Ëngjëll Tomën, komandati i asaj poste kufitare ku është vrarë dhe motra. Ai nuk ka thënë shumë në gjyq, sipas asaj që thonë mama e baba, një ushtar i asaj poste ka thënë që Toma e kishte urdhëruar të qëllonte, po ai s’kishte qëlluar, kështu që kishte marrë vetëm pushkën për të vrarë të rinjtë. Por nuk na u tha se si ka ndodhur vrasja e motrës. Askush nuk pati guximin të na e thotë këtë, të paktën për të pastruar shpirtin e tyre. Sepse atë natë nuk ka qenë vetëm ky Toma në shërbim, kanë qenë edhe të tjerë dhe patjetër ata do ta dinë se si është e vërteta, që në fakt na ka munduar gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk doli asnjëri. Toma u dënua më duket me 10 vjet burg, doli prej andej nga trazirat e 1997 dhe sipas fjalëve, e vranë. Duket ndonjë familjar i viktimave të kufirit. Por besoj se kanë mbetur dëshmitarë që dinë, por nuk flasin, ndoshta nga frika se mund të përfundojnë si komandat Toma.
A keni marrë ndonjë dëmshpërblim ndonjëherë?
Është diçka qesharake kjo gjë. Po në 1992, qeveria u caktoi se duhej të merrnin një dëmshpërblim, arritën të merrnin vetëm 2 milionë lekë të vjetra, por më pas, asgjë. Ndërsa në fillim të këtij viti, babai ka bërë sërish letrat dhe dokumentet për të përfituar dëmshpërblim, por edhe pse dosja është në rregull, nuk kanë marrë asnjë konfirmim. Siç e besoj dhe unë, e besoni edhe ju, se këto lekë nuk do ua sjellin vajzën e tyre, por mund të jenë një ndihmë për ta, tani që janë të moshuar dhe të rrëzuar nga ajo çfarë kanë provuar që pas 1990.
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Dega e Përgjithshme
Tiranë më 21.4.1990
Sekret
…Komunikatë operative NR.94
Shkodra
Më datën 20.4.1990, në zonën kufitare Dajç Rushbull dy elementë armiq janë afruar në pengesën elektrosinjalizuese dhe në sektorin 900 në krahun e djathtë janë mundur të bëjnë izolimin me tela të veshura të tij. U konstatuan nga njësiti i kufirit i cili u bëri thirrje për ndalje në orën 03:20, por ata u drejtuan për në thellësi të tokës tonë. Për këtë njësiti hapi zjarr dhe u asgjësuan. Këta ishin Elez Kraja, vjeç 26, punëtor në fabrikën e vajit, kurse u plagos Dhurata Hasan Sokoli, vjeç 25, punëtore në fabrikën e këpucëve, banues në Shkodër. Sipas deponimeve të Dhuratës ata donin të arratiseshin jashtë shtetit.
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Hetusia e Përgjithshme
Hetuesia e Rrethit
Shkodër, më 18.3.1993
Vërtetim
Hetuesia e rrethit Shkodër me datë 21.4.1990 ka filluar çështjen penale për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit në ngarkim të Dhurata Sokolit, etj, e cila është vrarë nga forcat e kufirit në tentativë për t’u arratisur në Jugosllavi. Pasi janë kryer hetimet çështja penale është pushuar në bazë të nenit 98/1 i K.Pr.Penale.
Kryetari i Hetuesisë së Rrethit
Kosta Karanxha d.v.
g.kosovari