E hëna dhe e marta do të jetë një ditë e ngjeshur për Kolegjin Zgjedhor, pasi do të shqyrtojnë kërkesat e Bindjes Demokratike dhe Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.
Janë pesë ankime të Bindjes Demokratike dhe 20 kërkesa të Partisë Socialiste që do të shqyrtohen të hënën e të martën, duke i dhënë përgjigje jo vetëm certifikimit të zgjedhjeve të 30 qershorit për këshillat bashkiakë, por në mënyrë të tërthortë edhe përplasjes së krijuar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, e cila rrëzoi kërkesën për verifikim mandati e kryetares së zgjedhur Valbona Sako, e cila iu drejtua të njëjtës gjykatë me një tjetër kërkesë për vërtetim mandati, që u konfirmua nga gjykata.
Nëse kolegji zgjedhor do të rrëzojë ankimet e bëra nga Bindja Demokratike dhe do të certifikojë këshillat bashkiakë, vendim i cili është i paapelueshëm, atëherë respektivisht Kolegji Zgjedhor ka njohur edhe zgjedhjet e 30 qershorit, duke i vënë “vulën” pretendimeve të opozitës, e cila mbajti si flamur vendimin e Gjykatës së Durrësit për “verifikim mandati”.
Të hënën, fillimisht do të shqyrtohen 5 ankime të Partisë Bindja Demokratike, që kundërshton rezultatin në Bashkitë Selenicë, Shijak, Kurbin, Tiranë dhe Berat. KQZ i rrëzoi kërkesat e kësaj partie, pasi sipas saj pretendimet nuk ishin të bazuara, ndërsa tashmë radhën për të folur e ka shkalla e dytë, Kolegji Zgjedhor. Në argumentin e saj, Bindja Demokratike pretendon se kutitë janë mbushur me vota fiktive dhe se iu vodhën. Po të hënën do të shqyrtohet edhe kërkesa e Leonidha Hristos, që humbi në Finiq garën për të fituar bashkinë.
Më pas, Kolegji Zgjedhor do të marrë në shqyrtim 20 kërkesat e PS-së për shpërndarjen e mandateve për këshilltarët bashkiakë, pasi KQZ e kishte të pamundur ligjërisht për t’i certifikuar duke qenë se duheshin 5 vota. Të gjitha vendimet e KQZ për zgjedhjet e 30 Qershorit janë marrë me 4 vota, pasi kryetari Klement Zguri ka votuar gjithmonë kundër, duke njohur dekretin e Presidentit Meta që anuloi 30 Qershorin dhe duke kërkuar hapjen e kutive të votimit. Duke qenë se me 4 vota nuk shpërndaheshin dot mandatet e këshilltarëve bashkiakë, PS-ja i është drejtuar Kolegjit për të certifikuar këshillat.
Të hënën do të shqyrtohen kërkesat për 7 bashki (Devoll, Kuçovë, Konispol, Memaliaj, Ura Vajgurore, Përmet dhe Poliçan) dhe të martën për 13 të tjera (Mirditë, Finiq, Pukë, Pustec, Pogradec, Vau i Dejës, Mat, Fushë Arrëz, Delvinë, Roskovec, Kavajë, Dropull dhe Peqin), ndërsa procesi pritet që të vijojë edhe për bashkitë e tjera në ditët në vijim.