Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sot do ta vizitojë Serbinë. Gjatë dy ditëve të ardhshme, presidenti i Francës, do të qëndrojë në Serbi për një vizitë zyrtare.
Siç shkruajnë mediet serbe, tashmë në Beograd autoritetet serbe kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, transmeton lajmi.net.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi sot se do të marrë masa maksimale të sigurisë, me rastin e vizitës së Macronit, e cila do të çojë në ndryshimin e regjimit të trafikut në pjesë të caktuara të qytetit.
Mirëpo, arsyeja e vizitës së Macronit në Beograd ndër të tjera do të jetë rikthimi i dialogut Kosovë-Serbi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, vizitën e presidentit francez, Macron e kanë cilësuar të një rëndësie shumë të lartë.
Gjatë këtyre dy ditëve, përveç takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, Macron pritet të takohet edhe me përfaqësuesit e tjerë politik serbë, transmeton lajmi.net.
Media franceze ‘Frans 24’, ditë më parë ka shkruar se, pas dështimit të Samitit të Parisit, Macron nga Beogradi do të përpiqet që ta rikthejë dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas “Frans 24”, një nga temat kryesore të diskutimit të presidentit Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Beograd, do të jetë Kosova, kjo pasi që siç shkruan ky medium, Macron dëshiron të ndihmojë në zgjidhjen e bllokimit të dialogut Kosovë-Serbi.
Përveç kësaj teme, gjatë kësaj vizite Franca dhe Serbia pritet të nënshkruajnë marrëveshje në fusha të ndryshme.
Duhet theksuar se Samiti i Parisit kishte dështuar për shkak të qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me dialogun dhe taksën prej 100 për qind ndaj mallrave dhe produkteve serbe që ka vendosur Qeveria e Kosovës.
Mirëpo, zyrtarët e Qeverisë së Gjermanisë dhe Francës, kishin thënë se ky Samit ishte shtyrë për një afat të pacaktuar.
Që nga nëntori i vitit të kaluar kur edhe Kosova kishte vendosur taksë prej 100 për qind, Serbia si “hakmarrje” ndaj kësaj takse e ka bllokuar dialogun me Kosovën.
Në anën tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti Francez, Emmanuel Macron, janë duke bërë përpjekje që t’i bindin të dyja palët që të rikthehen në tryezën e bisedimeve.
g.kosovari