Pas zgjedhjeve të BE-së në të cilat frika për një rritje të populizmit rezultuan të pabaza, Këshilli Europian ka emëruar kandidatët për postet më të larta të bllokut. Por a e ka përkeqësuar kjo “deficitin demokratik” të BE-së?
Nga Daniela Schwarzer
Diskutimet mund të jenë të pakëndshme, por kandidatët e emëruar nga Këshilli Europian për të udhëhequr institucionet qeverisëse të Bashkimit Europian janë padyshim mbresëlënës.
Nëse aprovohet nga Parlamenti Europian, Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri belg, Charles Michel, do të bëhen përkatësisht njëra presidente e Komisionit Europian dhe tjetri president i Këshillit Europian, dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës Josep Borrell do të shërbejë si Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme.
Më pas, në nëntor, Christine Lagarde do të pasojë Mario Draghin si presidente e Bankës Qendrore Europiane.
Lajm i mirë është se secili prej këtyre kandidatëve do ta forconte BE-në në një kohë pasigurie globale. Lajm i keq është se vetë BE-ja do të vazhdojë të përballet me sfida të rëndësishme nga brenda.
Lufta për të mbushur postet e larta drejtuese rezultoi në eliminimin e procesit të Spitzenkandidaten-it – ku grupimi më i madh i partive në Parlamentin Europian zgjedh presidentin e Komisionit – dhe rikthimi i realizimit të marrëveshjeve të fshehta, të cilat shumë i shohin si jodemokratike.
Duhet shpjeguar arsyetimi për këtë ndryshim, përndryshe besueshmëria e BE-së mund të vuajë. Në fund të fundit, procesi Spitzenkandidaten u prezantua në vitin 2014 për të kundërshtuar perceptimin se BE-ja vuan nga një deficit demokratik.
Lufta e lidershipit gjithashtu ka intensifikuar një përplasje të perspektivave brenda dhe rreth burimeve të legjitimitetit të BE-së.
Ndërsa shtetet anëtare me një kulturë të fortë parlamentare mendojnë se personeli i lartë duhet të zgjidhet në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të Parlamentit Europian të majit, të tjerë (si Franca) e konsiderojnë përvojën ekzekutive shumë më të rëndësishme sesa lidhja me ato rezultate.
Natyrisht që është një proces i gjatë për të hartuar një sistem të pranuar gjerësisht për zgjedhjen e liderëve të BE-së.
Pavarësisht pengesës së këtij viti, parimi i sistemit Spitzenkandidaten duhet të ruhet dhe të kombinohet në zgjedhjet e ardhshme, me lista shtesë të kandidatëve të mbështetur nga struktura më të fuqishme trans-europiane.
Përtej kësaj, BE-ja duhet gjithashtu të forcojë rolin e Parlamentit Europian.
Një numër eurodeputetësh janë shumë të frustruar nga dështimi i Këshillit për të emëruar ndonjë nga Spitzenkandidatët të ofruar dhe ata mund të bëjnë të ditur ndjenjën e tradhtisë duke votuar kundër emërimit të von Der Leyen.
Nëse kandidatura e saj refuzohet, me shumë gjasa do të pasojnë muaj të tërë vonesa institucionale.
Më të fragmentuar se kurrë
Duke shfaqur qëllimet e saj të sinqerta, von der Leyen duhet të njoftojë herët se do të punojë drejt fuqizimit de facto të eurodeputetëteve për të filluar legjislacionin. Me një marrëveshje ndërinstitucionale me Komisionin Europian, një ndryshim i tillë nuk do të kërkonte një ndryshim në ndonjë nga marrëveshjet themeluese.
Për më tepër, nëse konfirmohet, von der Leyen dhe presidenti i ri i Parlamentit Europian, David Maria Sassoli i Partisë Demokratike të Italisë, duhet të krijojnë një marrëdhënie pune sa më afër asaj të paraardhësve të tyre, Jean-Claude Juncker dhe Martin Schulz.
Por, duke pasur parasysh përbërjen e re të Parlamentit Europian, ata duhet të angazhojnë kryesuesit e të gjitha grupeve parlamentare që dëshirojnë të punojnë drejt një Europe më të fortë.
Fakti që eurodeputetët zgjodhën Sassolin në vend të vetë kandidatit të Këshillit, ish-kryeministrin bullgar Sergei Stanishev, sugjeron që zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj kanë çuar në një dëshirë të ripërtërirë për vetëvendosje institucionale.
E megjithatë zgjedhjet e lanë organin më të fragmentuar se kurrë. Numri i vendeve që mbahen në parlamentin 751-anëtarësh nga dy grupet e partive kryesore, Partia Popullore Europiane (PPE) dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), ra nga 404 në 336, për shkak të fitores që patën të Gjelbrit, nacionalistët e krahut të djathtë dhe liberalët centristë.
Rënia e koalicioneve të mëdha të Europës dhe shfaqja e partive të reja dhe më të vogla do të pengojnë vendimmarrjen, siç është demonstruar edhe nga dështimi i Parlamentit për të rënë dakord për Spitzenkandidaten e vet.
Ndarjet midis grupeve parlamentare nuk janë vetëm politike, por edhe gjeografike.
PPE-ja nuk ka pothuajse asnjë deputet nga Franca apo Italia dhe delegacione të mëdha nga Gjermania dhe Europa Veriore. S&D ka më shumë mbështetje nga Gadishulli Iberik dhe Italia, me relativisht pak eurodeputetë nga grupi i Vishegradit (Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Sllovakia) ose Franca.
Fragmentimi i shtuar në Parlamentin Europian shkon krah për krah me marrëdhëniet në ndryshim midis shteteve anëtare të BE-së.
Ditët kur Franca dhe Gjermania punonin krahë për krahë kanë marrë fund dhe edhe nëse ato bashkohen për një çështje të caktuar, bllokimi nga pakicat do t’i pengojë ato në rrugën e tyre në Këshill.
Raundi më i fundit i negociatave të lidershipit të BE-së tregon se sa e vështirë është bërë të të arrish shumicën, aq më tepër unanimitetin.
Përkundrazi, qeveritë kombëtare luftojnë gjithnjë e me më pak kujdes për interesat e tyre. Si rezultat, shtetet anëtare individuale do të përballen me një tundim të fortë për të ndjekur objektiva specifike në grupe më të vogla, me mendime të ngjashme.
më pas sfida është të sigurohen që nisma të tilla të ndjekin proceset zyrtare të BE-së, sesa të vendosen nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta ndër-qeveritare.
Dëshirë për ndryshim
Pjesëmarrja e madhe në zgjedhjet e Parlamentit Europian tregon se BE-ja nuk e ka humbur mbështetjen e publikut. Qendra politike u forcua në një kohë kur partitë euroskeptike dhe nacionaliste janë në rritje në shtetet anëtare.
Në përgjithësi, besimi i publikut te BE-ja është po aq i lartë sa ishte në vitet 1980, kur integrimi europian shërbeu si një mbrojtje kundër Bashkimit Sovjetik. Për shumicën e europianëve, të jesh pjesë e BE-së ka ende rëndësi.
Por rezultati i zgjedhjeve sinjalizoi gjithashtu një dëshirë për ndryshim. Shumë qytetarë braktisën partitë tradicionale dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre e bënë këtë nga frika.
Ashtu si politikanët në nivel kombëtar, liderët e rinj të BE-së do të duhet t’u përgjigjen votuesve që kanë paqartësi të thella për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Europianët janë të shqetësuar në mënyrë të kuptueshme në lidhje me konkurrencën e pushtetit të madh, kërcënimet e reja të sigurisë dhe një revolucion teknologjik që kërcënon të ngrejë në këmbë sisteme dhe shoqëri të tëra ekonomike.
BE-ja, duke punuar me qeveritë e vendeve anëtare, do të duhet t’u përgjigjet këtyre sfidave me ambicie dhe vendosmëri. Këshilli Europian tashmë ka hartuar një axhendë strategjike për vitet 2019-2024 dhe tani topi është në fushën e Parlamentit Europian.
Që nga zgjedhjet në maj, eurodeputetët nga katër grupet e moderuara partiake kanë negociuar një program të përbashkët të prioriteteve të politikave.
Me fjalë të tjera, ata po vënë materien mbi personelin; pavarësisht se kush i zë postet e larta udhëheqëse, Parlamenti Europian tashmë do të ketë një platformë të përbashkët në zbatim.
Pavarësisht anashkalimit të procesit Spitzenkandidaten, kjo përpjekje, ashtu si kandidatët premtues të zgjedhur nga Këshilli, sugjeron se BE-ja dalëngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme po piqet.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN. Copyright Project Syndicate. Jo për ripublikim.