Gazetari italian Gianluca Di Marzio, i cili raporton të rejat më të fundit nga merkatoja verore e Serie A dhe jo vetëm, shkruan në rrjetet sociale se kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani do të jetë lojtari më i ri i ekipit të sapongjitur në elitën e futbollit italian, Verona.
Mbrojtësi shtatlart në sezonin e fundit luajti për Dinamon e Zagrebit dhe kishte shprehur dëshirën për të provuar një aventurë të re.
Ditët e fundit ishte raportuar se Rrahmani ishte pranë nënshkrimit me Standard Liege, por transferimi nuk u realizua. Për kapitenin e Përfaqësueses së Kosovës ishin interesuar edhe kampionët e Skocisë, Celtic.