Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është drejtuar kryeministrit Rama, duke i kërkuar “t’i mbajë duart larg qytetarëve që mbrojnë të drejtën e tyre”.
Në një postim në facebook, pasi kryeministri Rama paralajmëroi këdo që dhunon materialet zgjedhore, Kryemadhi shkruan se qytetaret janë në të drejtën e tyre për të protestuar, ndërsa shton se nuk do të “jetë e largët dita kur do të duhet të zgjedhësh mes parave që ke vjedhur këto 21 vjet dhe kokës tënde”.
Postimi i plotë:
Edi Rama mbaji larg duart dhe veglat e tua qorre nga qytetarët që mbrojnë të drejtën e tyre. Mos guxo të prekësh gra dhe zonja politikane që janë në të drejtën e ligjit dhe të qytetarëve.
Mos mendo se me dhunën policore dhe prokurorinë e shit-blerë mund të burgosësh të vërtetën. Ajo është sot me popullin dhe qytetarët! As në ëndrrat më të largëta nuk e ke menduar se si mund të jetë fundi jo vetëm politik i një kryeministri bandit, skenarët më të frikshëm nuk janë shkruar ende për ty, sepse fundin tënd, dhe po ta përsëris, jo vetëm fundin politik, do të ta shkruajnë shqiptarët që ti po i godet, dhunon, përbuz, arreston dhe keqtrajton pa asnjë shkak.
Ata që protestojnë kundër teje nuk janë as të fallxhores dhe as të Lulit. Janë njerëz që kërkojnë të drejtën e tyre të mohuar. Por ti nuk e njeh ndjesinë e mirësisë, sepse gjatë gjithë jetës tënde ose e ke blerë, ose e ke marrë me dhunë dashurinë dhe mirësinë.
Ata qytetarë që shprehin revoltën e tyre nuk janë drejtuesit që flasin në telefon me kriminelë të qeverisë tënde. Janë njerëz të ndershëm që përplasen për të drejtën e mohuar, për të vënë në vend atë drejtësi që ti e ke blerë me paratë e drogës ose me kërcënimet për Vetting-un. Ti që ke merakun e reformës dhe të frikës së opozitës për të, je sot më i rrezikuari nga zemërimi i popullit. Dhe mbaje mend nga fallxhorja (jo nga ajo që vjen të sheh horoskopin në zyrë e që e paguajnë të të gënjejë), nuk e ke të largët ditën kur do të të duhet të zgjedhësh mes parave që ke vjedhur këto 21 vjet dhe kokës tënde. Po për këtë, për fat të keq nuk ka fallxhore të të ndihmojë, është një vendim që do ta marrësh vetë dhe shpejt!