Nga Alfred Peza
Mediat kanë raportuar sot se gjatë një takimi me trupën diplomatike të BE në Tiranë, Ilir Meta paska “paralajmëruar se nëse do jetë e nevojshme do të nxjerrë ushtrinë për të penguar procesin e zgjedhjeve”
Presidenti citohet të ketë thënë gjithashtu se se ai “është komandant i forcave të armatosura dhe mund të bëjë ç’të dojë sa i përket kopetencave.”
Nëse kjo është e vërtetë atëherë ajo çfarë thotë Ilir Meta është një gënjeshtër e pastër.
Në nenin 168 pika 2, Kushtetuta jonë shprehet se “Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshmëm i Forcave të Armatosura”. Por, në pikën 1 të nenit 169 saktësohet se: “Presidenti i Republikës, NË KOHË PAQEJE, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes”.
Ndaj Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura vetëm në kohë lufte. Në këto kushte Ilir Meta ska asnjë shans të komandojë Forcat e Armatosura për asgjë për aq kohë jemi “në kohë paqeje”, e jo më ti urdhërojë ato për 30 Qershorin.
Shqipëria as nuk është e pushtuar nga ushtria e ndonjë vendi të huaj, as nuk ka aktualisht ndonjë ballafaqim të armatosur e të dhunshëm me ndonjë popull apo shtet tjetër. Për rrjedhojë Republika e Shqipërisë NUK është në luftë.
Por edhe nëse do ishte në luftë, duke qenë anëtar i NATO, bashkë me Shqipërinë do të ishin në luftë edhe 28 vjendet e tjera të Aleancës.
Kështu që rrini të qetë!
Më 30 Qershor, lufta është vetëm në kokën e katërshes së liderëve të opozitës së rrugës. Nuk kanë faj. Sepse janë pushtuar nga frika e SPAK dhe BKH.