“Ne i jemi përgjigjur besimit të qytetarëve të Librazhdit në mandatin e parë dhe 30 Qershori është mundësia për të vijuar me punët e mira në shërbim të tyre”.
Kështu deklaroi në një intervistë për ERTV, Kastriot Gurra, i cili kandidon për një mandat të dytë në krye të bashkisë Librazhd, nën logon e Partisë Socialiste.
Gurra bëri një bilanc të punëve dhe projekteve të realizuara në 4 vite duke shpalosur edhe vizionin për mandatin e dytë.
“Para shumë vitesh Librazhdi ishte i braktisur sepse nuk kuptohej ku fillonte dhe mbaronte qyteti sepse mungonte infrastruktura. Ne kemi bere te mundur rikualifikimin urban në me shumë se 75 përqind të qytetit, në çdo lagje duke ndërhyrë në rrjetin nëntokësor, duke shtuar linjat e ndriçimit, trotuaret dhe hapësirat e gjelbra.Keto investime kanë rritur vlerën e pronave të paluajtshme në Librazhd siç ishte zona e ish farmacive në hyrje to qytetit ku dikur ishte mbyllur çdo biznes dhe pas investimeve, vlera e pronës u rrit”, tha Gurra.
Me mbështetjen e qeverisë, shtoi Gurra, për të tretin vit rradhazi kemi investuar në përmirësimin e kushteve të jetesës së shtresave në nevojë, duke ndërhyrë në banesat e tyre.
Lajmi i mirë është se shumë shpejt përfundon investimi i parkut qëndror të qytetit, investim plotësisht i bashkisë Librazhd që ktheu një vend-depozitim mbetjesh në park to gjelbëruar.
Po ashtu me fondet e bashkisë është ribërë nga e para stadiumi i ri i qytetit.
“Me ndihmën e qeverisë shqiptare ne realizuam projektin jo vetëm për mbrojtjen lumore nga lumi Shkumbin që rrezikonte edhe bizneset përreth, por edhe për ndërtimin e një shëtitore buzë lumit, e shumë frekuentuar nga qytetarët. Synimi është që argjinatura mbrojtëse të shtrihet më tutje deri në urën e lumit Rapun”, theksoi Gurra.
Kandidati i PS kërkoi votëbesimin e qytetarëve në 30 Qershor, për të vijuar më tej edhe me shtrirjen e më shumë shërbimeve publike në zonat më periferike të Bashkisë Librazhd dhe zhvilluar më tej zonat rurale./l.m