Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj vijoi fushatën e tij elektorale në një takim me banorët e Ndroqit ku bëri një bilanc të punëve të bëra edhe në këtë njësi, si dhe projektet e tjera që do t’i vijnë në ndihmë ekonomisë rurale. Ai theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit kanë një rëndësi të veçantë për hallet dhe problemet e çdo fermeri, që kërkon rrugë më të mira për të nxjerrë mallin në treg, më shumë kanale ujitëse për tokat e tyre, si dhe tregje më të mira e më të lira për të shitur mallin që prodhon. Ndaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se gjithkush në 30 qershor duhet të mendojë për familjen dhe të ardhmen e fëmijëve të vet dhe jo për hallet dhe problemet që kanë drejtuesit e opozitës, një pjesë prej të cilëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë hequr vizat.
“Sot të vetmit që janë duke bërë llogarinë e financave që s’po përballojnë dot protestë, protestë, protestë dhe që duhet të marrin lekë nga rusët janë Saliu dhe Luli; për hallin e Saliut dhe Lulit do të djegim Ndroqin? Për hallin e Saliut dhe Lulit do djegim Vaqarrin? Për hallin e Saliut dhe Lulit do djegim Pezën? Do djegim Tiranën, do djegim gjithë punët që kemi bërë për këta të dy? Nuk i dhanë vizë as Petrit Vasilit, një tjetër personazh komik, një tjetër plak që nuk di të plaket dhe në fakt, ne s’duhet të bëjmë llogaritë e tyre, se për sa kohë që është Saliu dhe Tit Vasili si kovë pusi, sa herë që ata flasin humbasin nga 10%, por ne s’e kemi llogarinë me ta, ne ata i kemi mundur tre here, e jam i sigurt që kurdo do t’i mundim edhe 30 herë. Ideja e tyre që duhet të na kthehet në hall familjar fakti që Tit Vasilit i kanë hequr vizën, është ideja më idiote në botë, e çfarë po na duhet se nuk shkoi Titi në Las Vegas, se nuk shkoi Titi në Nju Jork, se nuk shkoi në Havai, se nuk shkoi Titi në Majemi. Çfarë mendojnë ata, se shqiptarët hanë bar dhe nuk kuptojnë që halli i Titit, i Saliut, i prostatës, i protestës, problemet e tyre nuk janë problemet tona? Problemet tona janë shkollat, janë rrugët, janë bujqësia, janë tregu, problemet tona janë si do mundësohen, se çdo i ri të eci përpara”, tha Veliaj në fjalën e tij.
Më tej, ai shtoi se pikërisht sepse Partia Socialiste ka ditur gjithmonë të bëjë shtet dhe të zbatojë me përpikëri ligjet e këtij shteti dhe se hallet dhe problemet e qytetarëve duhet të trajtohen çdo ditë, nuk mundet të pranojë kurrsesi që të zgjedhjet të mos mbahen në datën e caktuar. “Ajo që nuk tolerojmë dot, ajo që nuk bëjmë dot kompromis, ajo që nuk negociojmë dot kurrë është fuqia jonë për të zgjedhur një herë në katër vjet, siç e thotë Kushtetuta, me votë të lirë në fushën e betejës, në kutinë e votimit, në të gjithë territorin e Tiranës, për të thënë se ka ardhur koha që populli të zgjedhë politikanët, jo politikanët të zgjedhin popullin”, tha Veliaj.
Gjithashtu, ai shtoi se opozita e ka patur në dorë të qeverisi si Tiranën edhe gjithë Shqipërinë dhe tregoi se nuk di ta bëjë atë punë. Ndaj, shtoi kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, është e domosdoshme që gjithkush të kuptojë rëndësinë që ka 30 qershori për të mos i dhënë mundësi atyre që nuk dijnë të bëjnë asnjë punë të marrin peng këtë vend.
“I them të gjithë demokratëve të Mnikut, se Saliu i ka zgjidhur punët e veta, Tit Vasili i ka zgjidhur punët e veta. Fakti që kanë ngelur pa vizë këta të prostatës nuk është problemi ynë. Ne kemi të tjera probleme. Arsyeja pse nuk duan që të flasin për këto probleme është së pari, se ata e kanë pasur në dorë, ata kanë qeverisur edhe në Ndroq, ata kanë qeverisur dhe në Tiranë, ata kanë qeverisur edhe në gjithë Shqipërinë. E kanë pasur shansin që pula e tyre të bënte këtë vezë, por nuk e bëjnë dot vezën tonë këta, nuk e bëjnë dot. Si do e bëjë vezën e qeverisë së madhe Luli kur nuk bënte dot vezën në Tiranë, kur nuk i punonte Sahati, kur ia zhgaravisin bashkinë si me qenë mur grafiti. Një qytet ku nuk nguli dot një gozhdë. Ishim dje me Blerinën te shtëpia e Lulit te Selvia, nuk shtroi dot rrugën e shtëpisë vet në 4 vite, 4 vite gjumë. Do hyjë në histori si e vetmja fushatë që ka prodhuar një spot me një që fle, pa fol asnjë fjalë, se e kuptojnë të gjithë. Në librat e komunikimit të medias, të informacionit, të shkencave politike në universitete do ta mësojnë si e vetmja fushatë ku një spot i njonit që fle i tha të gjitha, pa thënë asnjë fjalë. Nëse punojmë me njerëzit, me gjithë demokratët, me gjithë ata të LSI-së, me të gjithë ata shqiptarë që kanë nevojë të dëgjojnë këtë mesazh, unë besoj se fitorja jonë do jetë jo vetëm më e madhja, por edhe më dinjitozja. Por, siç tha me të drejtë Blerina në datën 30 kemi një mundësi që këtyre të prostatës t’i themi shkoni pleqëroni, shkoni zgjidhni hallet tuaja por ju nuk mund ta mbani më Shqipërinë peng”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.
g.kosovari